Panikë në Hungari: oligarkët e Orbanit po ikin me avionë privatë, po nxjerrin miliarda dhe po shkatërrojnë dokumente

Pas shpalljes së rezultateve zgjedhore dhe humbjes së kryeministrit shumëvjeçar të Hungarisë, Viktor Orbán, për shumë njerëz pasuan përqafime, festime dhe ndjenja e një kthese historike.

Megjithatë, ndërsa një pjesë e vendit festonte fundin e një epoke 16-vjeçare, në prapaskenë nisi një proces krejt tjetër – tërheqja e shpejtë dhe e heshtur e kapitalit dhe e njerëzve që gjatë kësaj periudhe ndërtuan pasurinë e tyre.

Sipas informacioneve të mediave të huaja, nga aeroportet përreth tashmë janë duke u nisur avionë privatë të lidhur me persona nga rrethi i pushtetit në largim. Në të njëjtën kohë, individë të caktuar po e transferojnë me shpejtësi pasurinë e tyre jashtë vendit.

Si destinacione për shpëtimin e kapitalit përmenden Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe vende më të largëta si Australia dhe Singapori, raportojnë mediat britanike.

Magyar bën thirrje për arrestime urgjente

Kryeministri në ardhje, Peter Magyar, partia e të cilit fitoi bindshëm zgjedhjet, paralajmëron se është në zhvillim një përpjekje sistematike për të mbrojtur pasurinë e fituar në mënyrë të dyshimtë nga hetimet e mundshme.

Sipas tij, “oligarkët e lidhur me Orbanin aktualisht po transferojnë dhjetëra miliarda forinta”. Për këtë arsye ai u ka bërë thirrje dramatike prokurorisë, policisë dhe organeve tatimore që të reagojnë menjëherë, të ndalojnë largimet dhe të mbajnë të dyshuarit sa kohë që është ende e mundur.

Magyar pretendon se disa familje nga rrethet me ndikim të partisë Fidesz tashmë kanë lënë vendin, duke i çregjistruar fëmijët nga shkollat dhe duke organizuar me shpejtësi largimin e përhershëm. Gazetarët hulumtues në Hungari raportojnë se figura kyçe nga partia e Orbanit po përpiqen të mbrojnë pasurinë nga ngrirja, konfiskimi apo edhe nacionalizimi që mund të vendosë qeveria e re.

Analistët paralajmërojnë se proceset për kthimin e mjeteve publike të fituara në mënyrë të paligjshme mund të zgjasin me vite, ndërsa rezistencë ndaj pushtetit të ri mund të ofrojnë edhe individë të korruptuar brenda vetë aparatit shtetëror.

“Shkatërrimi i gjurmëve” dhe ëndrra amerikane për Fidesz-in

Kryeministri i ri e përshkroi Hungarinë nën qeverisjen e Orbanit si një shtet “të rrënuar, të tradhtuar, të zhytur në borxhe dhe të shkatërruar”, duke shtuar se ajo është bërë një nga vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.

Magyar paralajmëron veçanërisht për raportet që vijnë nga ministritë dhe institucionet e lidhura me to për shkatërrim masiv të dokumenteve në javët para ndërrimit të pushtetit. Pushteti në largim i hedh poshtë kategorikisht këto akuza. Ministri i Jashtëm i quajti pretendimet për shkatërrim dokumentesh “të pakuptimta dhe të ekzagjeruara”, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për asgjësimin e kopjeve të dyfishta në letër të dokumenteve që tashmë ruhen në formë elektronike.

Zyra e Viktor Orbanit për momentin nuk i ka komentuar këto akuza. Orban ka njoftuar se nuk do ta pranojë mandatin e deputetit në parlament, por synon të mbetet në krye të partisë Fidesz për të udhëhequr procesin e “ringritjes” së saj.

Paralelisht me zhvillimet e brendshme, një pjesë e elitës politike dhe të biznesit thuhet se po kërkon shpëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Individë të lidhur me Fidesz-in tashmë po shqyrtojnë mundësitë për të marrë viza pune dhe për t’u punësuar në institucione të afërta me lëvizjen republikane MAGA.

Afrimi i gjatë politik ndërmjet qeverisë së Orbanit dhe administratës së Donald Trumpit duket se ka krijuar një rrjet që tani mund të shërbejë si strehë e sigurt për elitën politike hungareze. Edhe vetë Orban pritet të udhëtojë së shpejti drejt Shteteve të Bashkuara, ku planifikon të qëndrojë për disa javë. Familja e tij tashmë ka lidhje të vendosura atje, pasi vajza dhe dhëndri i tij, sipas mediave, u zhvendosën vitin e kaluar në Nju Jork.

Kategoritë
BotaLajme