Pamjet satelitore të kompanisë Vantor tregojnë se objekti Taleghan 2, i lidhur prej kohësh me programin bërthamor iranian, është goditur gjatë konfliktit aktual me tre goditje të mëdha dhe shumë të sakta, të cilat sugjerojnë përdorimin e mundshëm të bombave GBU-57/B MOP.
Sipas Vantor, kompleksi Taleghan 2 ishte i përforcuar më parë dhe në muajt para konfliktit ishte fortifikuar edhe më shumë. Objekti ishte i mbështjellë me strukturë betoni dhe më pas i mbuluar me shtresë dheu, gjë që mund të ketë kërkuar përdorimin e armëve shumë më të fuqishme të afta të depërtojnë në struktura të thella nëntokësore.
Çfarë është bomba GBU-57?
Bomba GBU-57 MOP (Massive Ordnance Penetrator) është një municion i drejtuar me peshë rreth 13 tonë, që përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së për të shkatërruar objektiva të fortifikuara ose të vendosura thellë nën tokë, si laboratorë nëntokësorë apo bunkerë ushtarakë.
Këllëfi i saj prej çeliku i lejon bombës të depërtojë rreth 60 metra në shkëmb ose tokë përpara se të shpërthejë.
Vantor publikoi sot pamje pas sulmit në Taleghan 2, ku shihen qartë tre kratera shumë të mëdhenj dhe të saktë në sipërfaqen e kompleksit.
Në pamjet e nëntorit 2025 objekti shihet para se të mbulohej me beton dhe dhe, ndërsa deri në mes të janarit të këtij viti ai ishte mbuluar me një shtresë të re betoni. Disa javë para fillimit të operacioneve të përbashkëta amerikano-izraelite, më 28 shkurt, mbi beton ishte hedhur edhe një shtresë shtesë dheu.
Para konfliktit, Irani kishte ndërmarrë masa të ngjashme për forcimin dhe mbrojtjen e objekteve të rëndësishme në të gjithë vendin, edhe pse jo në shkallën e parë në Taleghan 2. Aktivitet të ngjashëm në lokacionet bërthamore iraniane u vërejtën edhe para sulmeve të operacionit të vitit të kaluar “Midnight Hammer”.
Nuk dihet saktësisht se cilat armë janë përdorur kundër Taleghan 2, por gjurmët e goditjeve ngjajnë shumë me ato të regjistruara në Fordow dhe Natanz pas operacionit “Midnight Hammer”. Gjatë atij operacioni, bombarduesit B-2 hodhën 12 bomba GBU-57/B mbi Fordow dhe dy të tjera mbi Natanz.



















