Banorët e Gazës, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, vazhdojnë të përballen çdo ditë me vështirësi të shumta.
Një foshnjë vajzë dhe një vajzë nëntëvjeçare kanë vdekur si pasojë e ekspozimit ndaj të ftohtit në dy kampe të ndara për persona të zhvendosur në Rripin e Gazës, raporton Al Jazeera duke u thirrur në burime spitalore.
Në Khan Younis, në jug të Gazës, familja Abu Jazar u zgjua të enjten në mëngjes dhe zbuloi se foshnja e tyre tetëmuajshe, Rahaf, kishte ndërruar jetë nga hipotermia e shkaktuar nga i ftohti i fortë.
Prindërit e saj i thanë CNN-it se çadra e tyre ishte përmbytur gjatë natës. Duke qarë dhe duke përkëdhelur Rahafën e pajetë në krahë, nëna e foshnjës, Hejar Abu Jazar, shpërtheu në lot dëshpërimi. Ajo tregoi se një natë më parë e kishte ushqyer vajzën e saj.
“Ishte krejtësisht mirë. E kam ushqyer me gji mbrëmë. Pastaj e gjeta papritur të ngrirë dhe duke u dridhur. Ishte e shëndetshme, zemra ime,” qante nëna.
Vajza nëntëvjeçare u identifikua si Hadeel Hamdan dhe ajo vdiq në një vendbanim për të zhvendosur në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.
Ndërkohë, WAFA, agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, raportoi se dy persona humbën jetën herët sot kur një mur i madh u shemb mbi kampin e tyre me çadra në lagjen Rimal të qytetit të Gazës.
Në total, njëmbëdhjetë persona kanë vdekur nga pasojat e kushteve të rënda atmosferike në Gaza që nga dje.
Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza njoftoi se gjatë orëve të fundit të paktën 10 ndërtesa janë shembur në enklavë dhe se në dy raste ekipet e mbrojtjes civile kanë shpëtuar persona të bllokuar nën ndërtesa.
Agjencia paralajmëroi banorët e zhvendosur të Gazës, çadrat e të cilëve janë përmbytur, që të mos kërkojnë strehim në ndërtesat e bombarduara nga Izraeli, pasi ato mund të shemben për shkak të reshjeve të forta.
Kujtojmë se stuhia Bajron ka mbërritur në Rripin e Gazës. Meteorologët kanë paralajmëruar prej ditësh se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta mund ta godasin Rripin e Gazës sot, nesër dhe gjatë fundjavës, me rrezik për përmbytje të shpejta dhe dëme të mëdha nga era.


















