Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka mbajtur sërish një tubim partiak në Hungari, ku përsëriti kritikat ndaj Brukselit për, siç thotë ai, qëndrimin prorusi dhe prorus të BE-së për luftën në Ukrainë.
Duke iu drejtuar mbështetësve në atë që e quajti “tubim kundër luftës”, Orbán deklaroi se ekziston rrezik real që lufta të përhapet në Evropë.
“Jemi mbledhur në një tubim kundër luftës. Duhet ta mbajmë këtë tubim sepse ekziston rreziku. Ju them, banorë të Győr-it, Evropa rrezikon të futet në luftë. Ne angazhohemi për paqen, jo sepse jemi njerëz të mirë, por sepse duhet të vetëmbrohemi,” tha Orbán.
Ai përsëriti kritikat ndaj kundërshtarëve politikë dhe foli për marrëdhëniet me Donald Trump-in, duke njoftuar se Hungarisë mund t’i ofrohet një “mburojë financiare” nga SHBA.
“Nëse monedha juaj sulmohet nga ndonjë spekulent, për shembull Soros, duhet ta mbroni, dhe për këtë duhen instrumente financiare. Hungarisë gjithmonë i ka duhur, i duhet dhe do t’i duhet një mburojë financiare,” u shpreh Orbán.
I pyetur nëse ky paket është menduar të zëvendësojë fondet e BE-së, Orbán tha se Bashkimi Europian vetë është një mburojë financiare – nëse është aleati juaj.
“Por nëse burokratët e Brukselit janë armiqtë tuaj, atëherë kjo nuk është mburojë, por topuz,” shtoi ai.
Të njëjtën ditë, në të njëjtin qytet, Peter Magyar – udhëheqësi kryesor i opozitës hungareze – mbajti një tubim paralel.
Partia Tisza, e Magyrit, ka epërsi të fortë ndaj partisë në pushtet Fidesz sipas shumicës së sondazheve, dhe paraqet sfidën më të madhe politike për Orbánin në 15 vitet e fundit, në prag të zgjedhjeve të vitit 2026.












