Orban mbështeti qeverinë serbe, fajësoi për kaosin “forcat globaliste-liberale që janë tërhequr në Bruksel”

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dërguar mesazhe mbështetjeje për presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, pas skenave kaotike të ndodhura sot në parlamentin serb.

“Pasi humbën Uashingtonin nga patriotët, forcat globaliste-liberale u tërhoqën në Bruksel dhe i drejtuan sytë nga Serbia, Sllovakia dhe Hungaria,” deklaroi Orban.

Sipas tij, kaosi i sotëm në Parlamentin e Serbisë, që përfshinte bomba tymi, dhunë dhe obstruksion, tregon “sa larg janë të gatshëm të shkojnë për të destabilizuar kombet sovrane”.

“Nuk mund ta lejojmë këtë të vazhdojë. Dua të shpreh mbështetjen time për presidentin Vuçiç dhe qeverinë demokratike të zgjedhur të Serbisë,” shtoi Orban.

Sa i përket zhvillimeve të sotme në Beograd, kujtojmë se deputetët miratuan rendin e ditës, pas së cilës ndodhi përplasja e parë kur përfaqësuesit e opozitës aktivizuan bomba tymi.

U aktivizua pajisja kundër zjarrit, më pas deputetët u sulmuan me vezë dhe ndodhi një përleshje fizike.

Tre deputete u plagosën dhe, sipas zyrtarëve serbë, deputetja Jasmina Obradoviç pësoi një goditje në tru dhe është në gjendje kritike.

Gjendja e deputetes Sonja Iliç është jashtëzakonisht e rëndë, veçanërisht duke marrë parasysh se ajo është në muajin e tetë të shtatzënisë, deklaroi ministri serb i shëndetësisë, Zlatibor Lonçar.

Kategoritë
LajmeRajoni