Operacion policor në Turqi: Hetim ndaj “OnlyFans”

Policia në Turqi ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër platformës OnlyFans, duke vënë në shënjestër shumë influencerë.

Sipas njoftimeve zyrtare, janë nisur procedura ndaj 25 personave dhe dy kompanive që publikonin përmbajtje me karakter seksual kundrejt pagesës në OnlyFans dhe Telegram – platforma të ndaluara në Turqi.

Në kuadër të operacionit, u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 6 milionë euro. Hetimi, me qendër në Stamboll, përfshiu edhe qytetet Adana, Ankara, Antalia, Edremit, Gölcük dhe Samsun.

Kujtohet se OnlyFans u bllokua më 7 qershor 2023, me vendim të Gjykatës së Parë Penale në Stamboll, me arsyetimin se përmbajtja e saj bie ndesh me moralin publik dhe strukturën familjare turke.

Megjithatë, autoritetet zbuluan se qasja në platformë realizohej përmes VPN-ve. U konstatua gjithashtu se të dyshuarit përdornin rrjetet sociale publike për të orientuar ndjekësit drejt OnlyFans-it dhe kanaleve private në Telegram.

Policia bëri të ditur se të ardhurat nga këto aktivitete ishin investuar në pasuri të luajtshme/paluajtshme, bitcoin, ar dhe depozita bankare me afat.

Në listën e personave për të cilët është lëshuar fletarrest përfshihen emra si Merve Taşkın, Gizem Bağdaçiçek, Burçin Erol dhe Serpil Cansız, për të cilët thuhet se ndodhen jashtë vendit.

Kategoritë
BotaLajme