Okupimi izraelit i Rripit të Gazës zgjerohet në 59 për qind pavarësisht armëpushimit

Raporti thotë se para armëpushimit të tetorit të vitit 2025, Izraeli kontrollonte 53 për qind të territorit të Gazës.

Izraeli ka zgjeruar okupimin e tij në 59 për qind të Rripit të Gazës dhe po përgatitet për një rifillim të mundshëm të gjenocidit në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

Radioja e ushtrisë izraelite tha se para armëpushimit të tetorit të vitit 2025, Izraeli kontrollonte 53 për qind të territorit të Gazës.

Nga ana tjetër, lëvizja palestineze Hamas ka deklaruar se ushtria izraelite kontrollon më shumë 60 për qind të enklavës bregdetare.

“Zyrtarë të lartë ushtarakë izraelitë po bëjnë presion për rifillimin e luftimeve në Gaza dhe besojnë se momenti më i mirë për të mposhtur Hamasin është tani”, tha radioja.

Radioja gjithashtu raportoi përgatitje ushtarake për një rifillim të mundshëm të luftimeve, duke theksuar se ushtria ka reduktuar forcat në jug të Libanit dhe ka ridislokuar brigada të rregullta në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Sipas raportit, komanda jugore ka përfunduar planet operative dhe është gati të rifillojë luftimet nëse merr urdhër nga udhëheqja politike.

Raporti vjen në një kohë kur Izraeli vazhdon shkeljet e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe sulmet në Bregun Perëndimor.

Armëpushimi synonte t’i jepte fund ofensivës dyvjeçare izraelite në Gaza, e cila ka lënë mbi 72 mijë të vrarë, rreth 172 mijë të plagosur dhe ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile.

Kategoritë
BotaLajme