Përafërsisht 137.500 nga 180 mijë personat e zhvendosur në Rripin e Gazës janë strehuar në 83 shkolla të UNRWA-së në rajone të ndryshme të Gazës
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë për Refugjatët Palestinë (UNRWA) njoftoi se numri i personave të zhvendosur në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit ka arritur në 180 mijë, transmeton Anadolu.
Sipas raportit të publikuar në faqen e UNRWA-së, numri i banorëve të Gazës të zhvendosur pas konfliktit palestinezo-izraelit që filloi më 7 tetor pritet të rritet më tej.
Përafërsisht 137.500 nga 180 mijë personat e zhvendosur në Rripin e Gazës janë strehuar në 83 shkolla të UNRWA-së në rajone të ndryshme të Gazës.
Nga ana tjetër, për të zhvendosurit u shpërnda bukë nën koordinimin e Programit Botëror të Ushqimit (WFP).
Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksasë”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën Portën Kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se 770 njerëz kanë humbur jetën dhe rreth 4 mijë njerëz janë plagosur në Gaza gjatë sulmeve izraelite.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportohet se 18 persona kanë vdekur dhe rreth 100 janë plagosur nga sulmet e ushtarëve izraelitë.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme izraelite thuhet se në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën të paktën 900 izraelitë dhe janë plagosur 2.616 persona, 157 prej tyre në gjendje të rëndë.
