Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.
Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, veçmas pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, ku një grup tentoi të importonte një numër të madh të armëve që do të mund të shkaktonin dhunë të madhe, nëse do të lejoheshin të çonin në fund planet e tyre, kjo është diçka që të dyja palët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, tha ai.
Ai tutje ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin detyrimet e tyre në dialog dhe sipas O’Brien është shumë e rëndësishme që të dy vendet të evitojnë çfarëdo veprimi provokativ në Veri të Republikës së Kosovës.
“Janë tri vende që kanë nevojë për vëmendje shtesë. Mbështesim përpjekjet për dialog nga Lajcak. Bëjmë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që të plotësojnë obligimet e tyre në dialog.Është e rëndësishme që të dy vendet të evitojnë çfarëdo veprimi provokativ në Veri”, ka thënë O’Brien.
Ai tutje ka përmendur bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in sa i përket situatës në Veri dhe ka thënë se janë të kënaqur me bashkëpunimin dhe se presin që një gjë e tillë të vazhdojë edhe më tej.
“Dhe jemi të kënaqur me bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe trupat e NATO-s Presim që kjo të vazhdojë në vazhdim”, ka thënë O’Brien.
Ai ka folur edhe për procesin e zgjedhjeve në Serbi dhe për veprimet anti-kushtetuese të Millorad Dodik në Bosnje e Hercegovinë.