NYT: Nicolas Maduro refuzoi ofertën “shko në Turqi”

Sipas një artikulli të gazetës New York Times, presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i ishte ofruar që të largohej nga pushteti dhe të vendosej në Turqi, por ai e kishte refuzuar këtë ofertë.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, që prej kohësh ishin në rritje, kanë arritur një nivel tjetër pasi forcat amerikane ndaluan presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, duke i dërguar në SHBA nën arrest.

Pritet që lideri venezuelian të dalë së shpejti para gjykatës, ndërsa në mediat amerikane është publikuar një pretendim i ri.

TRUMP I THA: “SHKO NË TURQI”

Sipas New York Times, duke iu referuar burimeve amerikane dhe venezueliane, presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Madurës një ultimatum në fund të dhjetorit, duke i kërkuar të tërhiqej nga detyra dhe të shkonte në mërgim në Turqi.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, e refuzoi këtë propozim.

QËNDRIMET E MADUROS E ZEMËRUAN UASHINGTONIN

Në të njëjtin artikull thuhet se sjelljet e fundit të Nicolas Maduro-s kanë shqetësuar administratën amerikane.

Përgjigjet e Madurës ndaj paralajmërimeve dhe kërcënimeve të SHBA-së, përmes kërcimeve dhe këngëve, u perceptuan si qëndrime “mospërfillëse”, të cilat, sipas burimeve amerikane, e shtynë Uashingtonin drejt vendimit për ndërhyrje ushtarake.

Presidenti Trump, i cili e kishte kërcënuar Maduron me sulm të drejtpërdrejtë në territorin e Venezuelës, e realizoi këtë kërcënim përmes një operacioni nate, gjatë të cilit u godit Karakasi dhe u kapën Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij.

SHBA SHIKON ME OPTIMIZËM RODRIGUEZ-IN

Pas rrëmbimit të Nicolas Maduro-s, zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, u vendos në pozitën e presidente­s së përkohshme.

Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë janë më të prirur të bashkëpunojnë me Rodriguez-in dhe prej kohësh e shohin atë si një lidere më të moderuar krahasuar me Maduron.

Autoritetet amerikane, të impresionuara nga mënyra se si Rodriguez ka menaxhuar sektorin e naftës në Venezuelë, janë bindur përmes ndërmjetësve se ajo mund të jetë një aktore racionale dhe e pranueshme për bashkëpunim.

Kategoritë
BotaLajme