Një ushtar sirian i vrarë, të tjerë të plagosur në sulmin me dron të SDF-së në Halep

Mediat shtetërore bëjnë të ditur se sulmi i SDF-së kishte në shënjestër pozicionet e ushtrisë pranë lagjes Sheikh Maqsoud

Një ushtar sirian u vra, ndërsa të tjerë u plagosën në një sulm me dron ndaj pozicioneve të ushtrisë nga grupi terrorist SDF në periferi të Halepit, në Sirinë veriore, transmeton Anadolu.

Agjencia Arabe e Lajmeve Siriane (SANA) njoftoi se sulmi me dron i SDF-së kishte në shënjestër pozicionet e ushtrisë pranë lagjes Sheikh Maksoud të Halepit.

Sulmi erdhi një ditë pasi tre ushtarë u plagosën në një sulm të ngjashëm me dron të SDF-së në periferi të Halepit.

Të dielën, kanali televiziv shtetëror “Alikhbariya” raportoi se në Damask u zhvilluan takime me përfaqësuesit e SDF-së, përfshirë komandantin e saj Mazloum Abdi, për të ndjekur zbatimin e një marrëveshjeje të 10 marsit 2025, duke shtuar se bisedimet nuk prodhuan rezultate konkrete.

Zyrtarët sirianë akuzojnë SDF-në për vonimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar nga presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa dhe udhëheqësi i grupit.

SDF dominohet nga grupi terrorist YPG, dega siriane e organizatës terroriste PKK.

Më 10 mars, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.

Autoritetet siriane thonë se në muajt që kanë kaluar, SDF-ja nuk ka treguar asnjë përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes.

Kategoritë
BotaLajme