Një person nga Britania e Madhe është në mesin e 20 personave që në Emiratet e Bashkuara Arabe janë akuzuar sipas ligjeve për krimin kibernetik, pasi kanë filmuar dhe publikuar materiale që lidhen me sulmet iraniane ndaj vendit.
Sipas gazetës The Guardian, bëhet fjalë për një turist që po vizitonte Dubain dhe i cili është akuzuar sipas një ligji që ndalon shpërndarjen e materialeve që mund të rrezikojnë sigurinë publike.
Rasti është bërë publik nga organizata Detained in Dubai, e cila ofron ndihmë juridike për individë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Edhe pse kufizimet për filmimin e sulmeve gjatë konflikteve nuk janë të pazakonta në botë, rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të reputacionit të Emirateve si një destinacion i madh për influencuesit, jeta e të cilëve shpesh varet nga filmimi dhe publikimi i vazhdueshëm i përmbajtjeve. Pavarësisht ligjit, pamjet e sulmeve të fundit iraniane janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Radha Stirling, drejtoreshë e organizatës Detained in Dubai, tha se burri i paidentifikuar nga Londra është akuzuar së bashku me edhe 20 persona të tjerë, pasi policia në telefonin e tij kishte gjetur një video të një sulmi raketor iranian në Dubai, megjithëse ai thuhet se e kishte fshirë menjëherë videon pasi iu kërkua nga autoritetet.
Sipas përmbledhjes zyrtare të rastit, të akuzuarit dyshohet se kanë përdorur rrjete informacioni ose mjete të teknologjisë informative për të transmetuar, publikuar, ripublikuar ose shpërndarë lajme të rreme, thashetheme apo propagandë provokuese që mund të ndikojnë në opinionin publik ose të cenojnë sigurinë publike.
“Akuzat tingëllojnë shumë të paqarta, por në letër duken serioze. Në realitet, vepra e pretenduar mund të jetë diçka e thjeshtë, si shpërndarja ose komentimi i një videoje që tashmë qarkullon në internet,” tha Stirling në një deklaratë.
Sipas ligjeve të Emirateve për krimin kibernetik, mund të akuzohet jo vetëm personi që publikon për herë të parë një përmbajtje, por edhe kushdo që e ripërpunon, e ripublikon ose e komenton atë.
Një video e vetme mund të çojë shpejt në ndjekje penale ndaj dhjetëra personave. Dënimet në raste të tilla mund të arrijnë deri në dy vjet burg, një gjobë prej rreth 4.600 deri në 47.000 euro, ose të dyja.
Përveç kësaj, shtetasit e huaj mund të dëbohen nga vendi pas shpalljes së vendimit gjyqësor.










