Fragmentet e shkatërruara të një projektili, për të cilat pretendohet se vijnë nga sulmi vdekjeprurës ndaj një baze detare dhe një shkolle fillore në jug të Iranit më 28 shkurt, mbajnë shenja të qarta të një rakete lundruese amerikane, tregon analiza më e fundit e gazetës New York Times (NYT). Këto prova hedhin poshtë drejtpërdrejt pretendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump.
Fotografitë e fragmenteve janë publikuar nga televizioni shtetëror iranian në Telegram, duke i përshkruar ato si “mbetje të një projektili amerikan që ra mbi fëmijët në një shkollë në Minab”.
Copëzat janë vendosur mbi një tavolinë pranë rrënojave të shkollës fillore “Shajareh Tayyebeh”, e cila u shkatërrua pothuajse plotësisht nga një goditje precize. Sipas raportimeve të deritanishme, në këtë sulm janë vrarë të paktën 175 persona, shumica prej tyre fëmijë.
Edhe pse nuk është plotësisht e qartë se si dhe ku janë gjetur saktësisht fragmentet, NYT thekson se ato përmbajnë numra serialë dhe detaje të tjera që përputhen plotësisht me mënyrën se si Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) dhe furnizuesit e tij shënojnë municionin. Mbetjet me shumë gjasë i përkasin një rakete lundruese amerikane Tomahawk, e prodhuar në vitin 2014 ose më vonë.
Analiza e fotografive të fragmenteve ka zbuluar komponentë specifikë që nuk lënë shumë dyshime për origjinën e armës.
Antenë satelitore (SDL ANTENNA): Në një nga pjesët gjendet një shenjë për antenën e lidhjes satelitore për transmetimin e të dhënave, e cila është pjesë e sistemit të komunikimit të integruar në versionet më moderne të Tomahawk. Numri i kontratës së Departamentit amerikan të Mbrojtjes tregon se komponenti është dorëzuar në vitin 2014 nga prodhuesi Ball Aerospace Technologies (një kompani nga Kolorado që në vitin 2024 u ble nga BAE Systems).

Motorët e drejtimit: Një fragment tjetër mban vulën e qartë “Made in USA” dhe emrin Globe Motors, një prodhues nga Ohajo. Sipas të dhënave publike për shpenzimet e qeverisë amerikane, kjo kompani ka marrë kontrata milionëshe për komponentë që përfshijnë elektromotorë (aktuatorë) që lëvizin krahëzat e drejtimit në raketat Tomahawk.
Fotografitë përputhen me mbetjet e regjistruara në konfliktet e mëparshme në Jemen dhe Siri. Trevor Ball, ish-teknik i ushtrisë amerikane për neutralizimin e mjeteve shpërthyese, i cili tani punon për rrjetin hulumtues Bellingcat, gjithashtu ka konfirmuar se komponentët i përkasin raketës Tomahawk.
Provat e analizuara nga NYT konfirmojnë se shkolla është goditur gjatë një serie sulmesh amerikane të drejtuara ndaj një baze detare aty pranë. Pentagoni kishte publikuar më herët pamje të anijeve luftarake amerikane duke lëshuar raketa Tomahawk drejt Iranit pikërisht më 28 shkurt, në të njëjtën ditë kur u godit shkolla.




















