Netanyahu publikoi video pas teorive se është vrarë në një sulm iranian: “Thonë se jam i vdekur? Numëroji gishtat e mi”

Pasi në rrjet u përhapën shumë pretendime se Benjamin Netanyahu ishte vrarë në një nga sulmet iraniane, kryeministri izraelit publikoi një video në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale.

Në video, Netanyahu shihet duke blerë kafe në një dyqan dhe duke biseduar me shitësin si dhe me personin që po e filmon.

“Çfarë më pyete? Në rrjete thonë se jam i vdekur? Unë e dua kafenë dhe e di çfarë tjetër dua? E dua popullin tim, mënyrën si po sillen – fantastike,” tha Netanyahu.

Pretendimet se diçka e pazakontë po ndodhte me kryeministrin izraelit u shtuan edhe më shumë pas një videoje të fjalimit të tij të premten, ku në një moment forma e dorës së Netanyahut dukej e çuditshme dhe në një çast dukej sikur kishte gjashtë gishta.

Edhe për këto pretendime reagoi vetë Netanyahu.

“Dëshiron t’i numërosh gishtat e mi? Mundesh. Po bëjmë gjëra që nuk mund t’i ndaj për momentin. Po veprojmë shumë fuqishëm edhe brenda Iranit. Qëndroni të sigurt dhe ndiqni udhëzimet e mbrojtjes civile,” tha ai.

Në fund ai u rikthye sërish te kafeja.

“Është fantastike. Nuk e di për kaloritë, kjo më duket e rrezikshme,” përfundoi Netanyahu.

Kategoritë
BotaLajme