Netanyahu mbërrin në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Trumpin mbi Gazën

Trump ka përshëndetur përparimin drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh që nga takimi me udhëheqësit e vendeve me shumicë muslimane në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilat pritet të përqendrohen kryesisht në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza, transmeton Anadolu.

Trump ka përshëndetur përparimin drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh që nga takimi me udhëheqësit e vendeve me shumicë muslimane në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar.

Sipas raporteve në media, Trump zbuloi planin e tij me 21 pika për t’i dhënë fund luftës gjatë takimit të së martës së kaluar.

I pyetur nëse është i bindur se do të ketë paqe në Gaza “së shpejti”, Trump tha “jam”.

“Shumë i bindur”, tha Trump në një fjalim të shkurtër teksa përshëndeti Netanyahun në krah. Ai nuk iu përgjigj një pyetjeje nëse të gjitha palët janë dakord me planin e tij me 21 pika për t’i dhënë fund luftës së Izraelit.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza të paktën 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme, duke çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve.

Kategoritë
BotaLajme