Netanyahu dëshiron që Izraeli në 10 vitet e ardhshme të jetë i pavarur nga ndihma ushtarake e SHBA-së

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron që Izraeli gjatë dekadës së ardhshme të jetë i aftë të funksionojë pa ndihmën ushtarake amerikane, tha ai në një intervistë të publikuar të premten.

Washingtoni ka miratuar shitjen e pajisjeve ushtarake me vlerë dhjetëra miliona dollarë për ta ndihmuar Izraelin në sulmin ndaj Gazës, ndërsa lidhjet e ngushta ushtarake midis dy vendeve kanë zgjatur për dekada.

“Gjatë vizitës te presidenti Trump i thashë se e vlerësojmë thellësisht ndihmën ushtarake që Amerika na ka dhënë ndër vite, por edhe ne jemi pjekur, kemi zhvilluar kapacitete të jashtëzakonshme dhe ekonomia jonë së shpejti, brenda dhjetë vitesh, do të arrijë vlerën prej 1.000 miliardë dollarësh. Prandaj dua që gradualisht ta heqim ndihmën ushtarake gjatë dhjetë viteve të ardhshme”, tha Netanyahu për revistën The Economist.

Izraeli çdo vit merr rreth 3,8 miliardë dollarë ndihmë financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për blerjen e armatimit, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 2016, e cila hyri në fuqi në 2019 dhe vlen deri në 2028.

Senatori amerikan Lindsey Graham reagoi shpejt në rrjetin X, duke deklaruar se do të përpiqet ta përshpejtojë përfundimin e ndihmës ushtarake amerikane. Sipas të dhënave të think-tank-ut Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë (Council on Foreign Relations), Izraeli që nga themelimi në vitin 1948 ka marrë më shumë se 300 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike, të përshtatura me inflacionin.

Në maj, kur marrëdhëniet mes Netanyahut dhe presidentit amerikan Donald Trump dukeshin të tensionuara, kryeministri izraelit sugjeroi se Izraeli përfundimisht do të duhet të “shkëputet” nga ndihma ushtarake amerikane, pa dhënë shpjegime shtesë.

Në një fjalim kontrovers në shtator, Netanyahu tha gjithashtu se Izraeli po bëhet gjithnjë e më i izoluar dhe se duhet të miratojë një qasje “super-Sparta”.

Pas reagimeve negative ndaj kësaj deklarate, lideri izraelit më vonë sqaroi se kishte folur për industrinë e mbrojtjes dhe se vendi duhet të bëhet më i vetëqëndrueshëm për të shmangur vonesat e mundshme në zinxhirët e furnizimit.

Kategoritë
BotaLajme