Nedžad Grabus është zgjedhur Reis-ul-Ulema i ri i Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës. Grabus mori 230 vota në zgjedhjet e mbajtura në Sarajevë dhe do ta pasojë Husein Kavazovićin, i cili e ushtroi këtë detyrë për dy mandate.
Zgjedhjet u mbajtën të shtunën në Bibliotekën “Gazi Husrev-beg” në Sarajevë, në kuadër të mbledhjes së Këshillit Zgjedhor për Reis-ul-Uleman e Bashkësisë Islame.
Pas zgjedhjes, Grabus deklaroi se rezultati është i rëndësishëm jo vetëm për të, por edhe për myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak, Kroaci, Slloveni dhe diasporë.
“Sot fitoi Bashkësia Islame, sot fituan myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak, Kroaci, Slloveni dhe diasporë”, deklaroi Grabus.
Ai tha se procesi zgjedhor ishte i vështirë, por u përmbyll me sukses, ndërsa falënderoi ish-Reis-ul-Uleman Husein Kavazović për udhëheqjen e vendosur dhe dinjitoze të Bashkësisë Islame gjatë dy mandateve.
Grabus kujtoi se kalimi paqësor i drejtimit të Bashkësisë Islame nuk ka qenë një praktikë e shpeshtë në të kaluarën. Sipas tij, një proces i tillë u zhvillua për herë të parë në vitin 2012, kur u zgjodh Kavazović, ndërsa në vitin 2026 kjo praktikë u përsërit.
Edhe Husein Kavazović e uroi Reis-ul-Uleman e ri, duke theksuar se Bashkësinë Islame e presin hapa të rinj në periudhën e ardhshme.
Kavazović i uroi Grabusit shëndet dhe suksese, duke shprehur dëshirën që ai të vazhdojë zhvillimin e mëtejshëm të Bashkësisë Islame.
Ceremonia e marrjes së detyrës më 15 nëntor
Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Edhem Bičakčić, bëri të ditur se Grabus fitoi 230 vota, duke siguruar shumicën absolute.
Më 15 nëntor, në Xhaminë “Gazi Husrev-beg” në Sarajevë, do të organizohet një ceremoni e veçantë për Reis-ul-Uleman e ri.
Gjatë ceremonisë, Grabusit do t’i dorëzohet menshura, dokumenti që dëshmon zyrtarisht zgjedhjen e tij dhe autorizimin për ushtrimin e kompetencave fetare. Në të njëjtën ceremoni ai do të bëjë edhe betimin.
Menshura është dokumenti zyrtar që vërteton se Reis-ul-Ulema është zgjedhur sipas procedurave përkatëse dhe se, në kuadër të së drejtës islame, ai ka autoritetin t’u japë kompetenca zyrtarëve fetarë që varen prej tij.
Kush është Nedžad Grabus?
Nedžad Grabus ka shërbyer si Myfti i Lubjanës dhe kryetar i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Slloveni nga viti 2006 deri në vitin 2021.
Që nga 15 shtatori 2021, ai ka ushtruar detyrën e Myftiut të Sarajevës. Me zgjedhjen e fundit, Grabus është ngjitur në postin më të lartë fetar të Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës.
