Pavarësisht thirrjeve nga e gjithë bota për të ndaluar masakrën ndaj civilëve, forcat izraelite vazhdojnë të bombardojnë Gazën pa dallim
Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e Izraelit në Rripin e bllokuar të Gazës gjatë gjithë natës ka shkuar në 120, transmeton Anadolu.
Pavarësisht thirrjeve nga e gjithë bota për të ndaluar masakrën ndaj civilëve, forcat izraelite vazhdojnë të bombardojnë Gazën pa dallim.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, të paktën 120 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e kryera nga avionët luftarakë izraelitë ndaj vendbanimeve civile në pjesë të ndryshme të Gazës gjatë natës. Në deklaratën e mëparshme u njoftua se 110 persona kanë vdekur.
Në sulmet izraelite në vendbanimet civile u shënjestruan vendbanimet Khan Yunis, Rafah, Beit Lahia, Jibaliya dhe Kampi i Refugjatëve Bureij dhe në sulme u plagosën dhjetëra njerëz.
Thuhet se përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në rrënojat e ndërtesave të bombarduara.
– Situata e fundit në sulmet e Izraelit në Gaza
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.
Ushtria izraelite gjithashtu filloi të sulmojë Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Raportohet se 1.400 izraelitë, përfshirë 308 ushtarë, vdiqën dhe 5.132 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 5.087 njerëz, duke përfshirë 2.055 fëmijë dhe 1.119 gra, vdiqën dhe 15.273 njerëz u plagosën në sulmet e Izraelit në Gaza.
Gjithashtu më shumë se 90 palestinezë vdiqën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në përleshje humbën jetën 24 gazetarë, mes të cilëve 20 palestinezë, 3 izraelitë dhe një libanez.