Në komunën Fatih të Stambollit ka vdekur Servet Bocek, i cili ishte duke u trajtuar në spital për shkak të helmimit nga ushqimi, ndërsa disa ditë më herët kishin vdekur bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.
Servet dhe Cigdem Bocek më 9 nëntor kishin udhëtuar nga Gjermania në Stamboll dhe ishin akomoduar në një hotel në Fatih së bashku me fëmijët Kadir Muhammed dhe Masal. Tre ditë më vonë ata iu drejtuan mjekut për shkak të të përzierave dhe të vjellave.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmijët humbën jetën, ashtu si edhe nëna e tyre disa ditë më pas.
Edhe pse fillimisht dyshohej për helmim nga ushqimi, ngjarja mori kthesë kur edhe dy persona të tjerë që qëndronin në të njëjtin hotel u sëmurën. U zbulua se së fundmi në hotel ishte kryer proces dezinfektimi.
Ekipet hetimore kontrolluan dhomat dhe morën mostra nga batanijet, jastëkët dhe çarçafët, si edhe nga uji i ambalazhuar që përdornin mysafirët.
Policia konstatoi se familja më 9 nëntor kishte ardhur nga Gjermania dhe ishte vendosur në hotelin në Fatih, si dhe se më 11 nëntor në Ortaköy kishin konsumuar midhje te një shitës rruge dhe një vakt në një restorant.
Për shkak të problemeve shëndetësore ata kishin shkuar në një spital të afërt, ku pas trajtimit paraprak ishin lënë në kujdes shtëpiak, por situata u komplikua.
Dy turistë që qëndronin në të njëjtin hotel u pranuan në të njëjtin spital për shkak të të vjellave dhe të përzierave. Një person i tretë, i cili ishte shoqërues dhe qëndronte me ta në dhomë, u shtrua në spital për shkak të pulsin të ulët të zemrës, për analiza të mëtejshme. Pas hetimeve policore, hoteli u evakua dhe mysafirët u zhvendosën në objekte të tjera.
Në kuadër të hetimeve u arrestuan pronari i hotelit, shitësi i lokumit, pastiçeri, shitësi i midhjeve, pronari i kafenesë, djali i pronarit të firmës së dezinfektimit dhe personi që kishte kryer dezinfektimin.
Ndërkohë që procedurat po vazhdojnë, këtë mëngjes janë shoqëruar në polici edhe dy punonjës të hotelit dhe personi përgjegjës për dezinfektimin.












