Liburn Aliu tashmë edhe zyrtarisht është prezantuar si drejtuesi i ri i Autoritetit Portual Durrës, raporton Ekonomia Online.
Aliu, gjatë një prezantimi që iu bë nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastruktura dhe Energjisë, Belinda Balluku, është shprehur i nderuar për pozitën që iu është besuar nga Republika e Shqipërisë duke theksuar se ky port nuk është vetëm i Shqipërisë por i gjithë rajonit.
Ndërkohë, përmendi se vetë ai në Kosovë shihet si i Shqipërisë e në Shqipëri si i Kosovës.
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nga zv.kryeministrja për një detyrë që më është dhënë që është më është besuar dhe që është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit nuk Port vetëm i Republikës së Shqipërisë, është port i gjithë shqiptarëve, i rajonit është port që sot Kosova pothuajse pjesën dërmuese të mallrave e merr përmes Portit të Durrësit, mbase edhe këtu gati gjysma e mallrave që shkojnë drejtë Kosovës, nëpër Rrugën e Kombit, një pjesë e madhe shkon edhe drejtë Maqedonisë, është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe të jetë konkurrent për gjithë rajonin. Për t’u modernizuar kjo është e domosdoshme që të shihet në aspektin gjeopolitike, të shihet Maqedonia e Veriut, në veçanti edhe Kosova si pika prej ku mallrat do të shpërndahen në gjithë rajonin. Kam pasë nderin dhe fatin të punojë me zëvendëskryeministren në shumë forume të ndryshime të rajonit. Jemi takuar në shumë vende dhe në Tiranë e Bruksel e kudo dhe qasja që kemi pasë për gjithë rajonin na ka bërë që ne si dy vende unë atëherë si ministër i Republikës së Kosovës krahas zëvendëskryeministres të kemi një platformë mjaftë të qartë për zhvillimin e transportit dhe modalitetit në gjithë rajonin dhe kjo i bënë edhe Kosovën edhe Shqipërinë të ndërvarura me njëra tjetrën”, tha ai.
Më tej, Aliu theksoi Kosova ka nevojë të ketë lidhe të forta me Portin e Durrësit.
“Kosova ka nevojë të ketë lidhej të forta me Portin e Durrësit, në mënyrë që përmes saj të shpërndahen mallra në gjithë rajonin, kjo i krijon asaj mundësi të mira të zhvillimit ekonomik. Po ashtu kjo mundësi e përhapjes së mallrave përmes edhe Prishtinës e Shkupit do të bënte që Porti i Durrësit të zgjeronte kapacitetet dhe kjo do të ndihmonte që të dyja vende ajo ndërvarësi të i bëjë më të zhvilluara ekonomikisht, por t’i bëjë edhe me të sigurta. Pori i NATO-s që do të jetë krahas Portit ë mallrave në Porto Romano do të ndihmojë për gjithë rajonin për siguri. Sot kur gjithnjë më tepër flitet për siguri, është detyrë dhe sfidë për ne që portin e NATO-s krahas portit ë mallrave ta zhvillojmë, të ndërtohet ashtu si duhet dhe të jetë në lidhje komunikimi qoftë hekurudhore apo automobilistike në gjithë rajonin”, nënvizoi ai. Më tej ai tha se “Mua këtu më shihni mbase që jam prej Kosovës, atje më shohin si i Shqipërisë. Nuk është e lehtë por gjithsesi, këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe uroj që të kemi suksese dhe të shohim që pas tre vitesh portin e mallrave ta shohim të realizuar”.

















