Në Itali u shfaq si nëna e vdekur: Mori për vite me radhë pensionin e saj

Një burrë në Itali u vesh me rrobat e nënës së tij të ndjerë dhe për tre vite me radhë mori pensionin e saj. Ngjarja, që tronditi vendin, u bë temë e mediave botërore pasi mashtrimi u zbulua për shkak të zërit “tepër mashkullor” të autorit.

Sipas Corriere della Sera, një burrë 56-vjeçar pa punë – emri i të cilit nuk është bërë publik – nuk e kishte raportuar vdekjen e nënës së tij, Graziella Dall’Oglio, e cila kishte ndërruar jetë tre vite më parë.

U VESH SI NËNA E VDEKUR PËR TË MARRË PENSIONIN

Burri dyshohet se e ka fshehur trupin e pajetë të nënës në shtëpi, ndërsa mashtrimi i tij financiar është vënë nën hetim.

Mediat italiane raportojnë se ai përdorte paruke dhe vishte rrobat e nënës për të shkuar në bankë dhe për të tërhequr mijëra euro pension çdo vit.

“SKANDALI Mrs.DOUBTFIRE”

Mediat italiane e krahasuan mashtrimin me filmin e vitit 1993 “Mrs. Doubtfire”, ku aktori Robin Williams vishej si grua. Për këtë arsye, ngjarja u quajt “Skandali Mrs. Doubtfire”.

TRUPI I NËNËS U GJET I MUMIFIKUAR

Gjatë kontrollit në shtëpinë e burrit, autoritetet gjetën trupin e pajetë të gruas të fshehur në dhomën e rrobalarjes. U konstatua se trupi ishte mumifikuar me kalimin e kohës.

RINOVOI EDHE KARTËN E IDENTITETIT NË EMËR TË NËNËS

Ngjarja e ndodhur në rajonin Mantua zbuloi se burri kishte mashtruar jo vetëm personelin e bankës, por edhe zyrtarë publikë. Ai ishte shfaqur i veshur si nëna e tij për të rinovuar kartën e identitetit në emrin e saj.

E TRADHTOI ZËRI “MASHKULLOR”

Burri kishte një të ardhur vjetore rreth 61 mijë dollarë nga pensioni i nënës dhe tre pronat që ajo zotëronte. Megjithatë, ai u zbulua kur një punonjës vuri re zërin e tij të thellë, tiparet mashkullore dhe qafën e trashë.

DYSHOHET SE KA VDEKUR NGA SHKAQE NATYRALE

Dall’Oglio dyshohet se ka vdekur nga shkaqe natyrale, megjithëse kjo do të konfirmohet nga autopsia. Kryetari i Bashkisë Borgo Virgilio, Francesco Aporti, tha:

“Ndoshta ka vdekur nga shkaqe natyrale, por këtë do ta tregojë autopsia. Një ngjarje shumë e çuditshme dhe jashtëzakonisht e trishtueshme.”

Burri pritet të përballet me akuza për fshehje të një trupi dhe mashtrim financiar.

Kategoritë
BotaLajme