Në Gjermani mungesë qebapësh për shkak të bllokimit të kufijve në rajonin tonë

Portali gjerman wa.de shkruan për mungesën e, siç e quajnë ata, një “produkti popullor” si pasojë e bllokimit të pikave kufitare në Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për ushqimin tonë të njohur – qebapët – të cilët pritet të mbërrijnë sërish së shpejti në Gjermani, pasi bllokada është ndërprerë sot.

Shoferë kamionësh nga katër vende të Ballkanit Perëndimor bllokuan pikat kufitare drejt shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Protesta ishte e drejtuar kundër ashpërsimit të rregullave të hyrjes në BE, të cilat janë në fuqi që nga tetori i vitit 2025 dhe parashikojnë qëndrimin e lejuar prej 90 ditësh brenda 180 ditëve.

Bllokada filloi të hënën në mesditë dhe përfundoi sot në orën 16:00, pasi transportuesit morën informacion nga BE-ja se përkohësisht do të përjashtohen nga moratoriumi 90/180.

Megjithatë, bllokada tashmë ka ndikuar në importet në Nordrhein-Westfalen.

Siç shkruan wa.de, bllokada ka ndikuar ndjeshëm në qarkullimin e mallrave ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Ky medium ka biseduar me përfaqësues të kompanisë Hanex GmbH nga Paderborni, e cila është importuesi kryesor i mallrave nga Ballkani. Ata thonë se situata i ka goditur rëndë.

“Po, jemi prekur seriozisht. Fatkeqësisht nuk kemi alternativë. Një partner biznesi ende mund të furnizojë, por jo në sasitë që zakonisht na nevojiten”, konfirmoi një punonjës i Hanex-it.

Kjo kompani aktualisht nuk mund të sigurojë më qebapë dhe produkte të tjera tipike ballkanike, por ky problem pritet të zgjidhet së shpejti, duke pasur parasysh ndërprerjen e bllokadës sot.

Kategoritë
BotaLajme