Farmacitë janë mbyllur me ritme alarmante vitet e fundit në Gjermani, me më shumë se 120 farmaci të mbyllura vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Shoqatës Federale të Farmacistëve Gjermanë (ABDA).
“Aktualisht kemi numrin më të ulët të farmacive që nga fillimi i viteve 1980,” tha zëdhënësi i ABDA Christian Splett për Euronews.
Kjo situatë ka lënë shumë banorë gjermanë pa një lidhje kyçe me sistemin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale, pasi farmacistët janë shpesh profesionistët e parë që njerëzit kërkojnë ndihmë për problemet e tyre përpara se të kontaktojnë një mjek.
“Farmacistët kryejnë gjithashtu një funksion themelor në sistemin e kujdesit shëndetësor, të cilin nuk mund ta matni me sasinë e barnave që ata shesin,” tha Splett.
Sipas ABDA, ka disa arsye pse farmacitë po mbyllen me një ritëm kaq të lartë, por arsyeja kryesore është se nuk duket se ka shumë të ardhme për farmacistët e rinj në farmaci.
Procedurat e komplikuara burokratike çojnë në mbylljen e shumë farmacive private.
Përveç kësaj, sipas bazës zyrtare kombëtare të të dhënave PharmNet.Bund, e cila monitoron prokurimin e barnave në Gjermani, më shumë se 400 ilaçe janë të listuara si të padisponueshme në vend.
Më 14 qershor, mijëra farmaci mbyllën dyert e tyre për ditën në shenjë proteste kundër situatës gjithnjë e më të vështirë në të cilën ndodhen.
Punëtorët po kërkojnë nga qeveria që të rrisë tarifën që u paguhet për çdo bar me recetë, nga 8,35 euro në 12 euro.
Por ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbach hodhi poshtë kërkesën e farmacistëve për më shumë para, duke thënë se kishte mungesë fondesh shtesë për të përmbushur kërkesat e personelit.

