Lideri i organizatës së quajtur Forcat Popullore, Yasser Abu Shabab, i cili vepronte në Gazë me mbështetjen e Izraelit, është vrarë në territorin e Rripit të Gazës.
Forcat Popullore që drejtoheshin nga Shababi njoftuan se udhëheqësi i tyre ka vdekur nga një plagë me armë zjarri ndërsa po ndërhynte në një konflikt familjar dhe hodhën poshtë pretendimet se pas ngjarjes qëndron Hamas.
Ky udhëheqës beduin me bazë në Rafah udhëhiqte grupin më të spikatur nga disa grupe të vogla antihamasiste që u shfaqën në Gazë gjatë luftës që filloi më shumë se dy vite më parë.
Vdekja e tij do të ishte një nxitje për Hamasin, i cili e kishte shpallur kolaboracionist dhe u kishte urdhëruar luftëtarëve të tij ta vrasin ose ta kapin.
Grupi i Abu Shababit vazhdoi të veprojë në zonat e Gazës nën kontrollin e forcave izraelite që nga tetori, kur Hamasi dhe Izraeli arritën një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të. Kryeministri Benjamin Netanyahu pranoi në qershor se Izraeli kishte armatosur klanet antihamasiste, megjithëse Izraeli që atëherë ka publikuar pak detaje të tjera mbi këtë politikë.
Kjo ndodhi pasi mediat izraelite raportuan se ai kishte miratuar furnizimin me armë të Forcave Popullore. Megjithatë, ky grup mohoi se po armatosej nga Izraeli.
Forcat Popullore janë akuzuar për grabitjen e kamionëve të ndihmave humanitare të dërguara në Gazë gjatë luftës. Raportet në Izrael gjithashtu sugjerojnë se dy anëtarë të tyre më herët kishin lidhje me të ashtuquajturin Shteti Islamik.









