



Ljubomir Korba u arrestua me ndihmën e autoriteteve të Emiratet e Bashkuara Arabe, njofton agjencia shtetërore ruse RIA. Korba, shtetas i Rusisë, është identifikuar si ekzekutori i drejtpërdrejtë i sulmit ndaj gjeneralit, i cili u krye dy ditë më parë në Moskë.
Sipas shërbimeve ruse të sigurisë, Korba është me origjinë nga Ukraina, më saktësisht nga rajoni i Ternopilit. Ai kishte udhëtuar drejt Rusisë për të kryer sulmin me detyrë nga Ukraina, pretendojnë autoritetet ruse.
Kujtojmë se Korba dyshohet se ka qëlluar të paktën tri herë me pistoletë me silenciator ndaj gjeneral-lejtnantit Aleksejev të premten dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Aleksejevi u dërgua menjëherë në spital, ndërsa sulmuesi u largua nga vendi disa orë më vonë. FSB-ja ruse publikoi këtë mëngjes pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat thuhet se tregojnë gjithë rrugëtimin e atentatorit, nga një ndërtesë banimi në Moskë deri në aeroport.
Pas arrestimit në Dubai, Korba u ekstradua në Rusi dhe u transferua në një burg në Moskë.
Sipas shërbimeve ruse, në operacion morën pjesë edhe bashkëpunëtorët e tij: rusi Viktor Vasin dhe ukrainasja Zinaida Serebriçka. Vasini u arrestua në Moskë, ndërsa Serebriçka ka ikur në Ukrainë. Autoritetet ruse po kërkojnë tani organizatorët e sulmit, të akuzuar për tentativë vrasjeje, sulm ndaj një personi ushtarak dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e akuzoi Ukrainën se qëndron pas tentativës së atentatit, duke thënë se qëllimi ishte sabotimi i negociatave të paqes. Nga ana tjetër, Ukraina ka mohuar çdo lidhje me sulmin.