



Si pasojë e zjarrit në një nyje kabllore në juglindje të Berlinit, pranë termocentralit Lichterfelde, pa rrymë mbetën mbi 50.000 familje dhe rreth 2.000 objekte ekonomike. Aktualisht në Berlin mbizotërojnë temperatura të ulëta, ndërsa qarkullimi rrugor është vështirësuar edhe për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Zjarrfikësit evakuuan disa objekte të prekura, përfshirë edhe dy shtëpi për të moshuar. Policia njoftoi përmes platformës X se ekzistojnë dyshime se zjarri është vënë qëllimisht. Mediat raportojnë se hetimin e ka marrë Zyra Rajonale për Luftën kundër Kriminalitetit, e cila merret me raste ku dyshohet për vepra penale që rrezikojnë rendin shoqëror ose kanë prapavijë politike.
Në shtator, në juglindje të Berlinit ishte vënë gjithashtu një zjarr i qëllimshëm, përgjegjësinë për të cilin e mori një organizatë ekstremiste e majtë, e cila në kuadër të “luftës kundër kapitalizmit” synonte të dëmtonte zonat ekonomike të atij rajoni të Berlinit.
Vitet e fundit janë regjistruar sulmime të shumta ndaj infrastrukturës, veçanërisht asaj hekurudhore, të cilat justifikohen po ashtu me “luftën kundër infrastrukturës kapitaliste”, pra transportit të mallrave me hekurudhë.
Gjatë një zjarri të madh të qëllimshëm në gusht, në linjën midis Këlnit dhe Dyseldorfit, për disa ditë u bllokua edhe transporti i pasagjerëve në një nga linjat hekurudhore më të ngarkuara në Evropë.