Ndërsa Evropa “frymon me vështirësi” për shkak të kërkesave të Trumpit, amerikanët dhe rusët mbajtën takim në Davos: “Gjithçka ishte pozitive”

Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin zhvilluan sot një takim në “Shtëpinë Amerikane” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Një reporter i Reuters-it pa Steve Witkoff-in dhe Jared Kushner-in duke hyrë në “Shtëpinë Amerikane” në Davos. Një burim tha se pas tyre hyri edhe i dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev.

Dmitriev pritej që këtë javë të udhëtonte në vendpushimin zviceran Davos dhe të zhvillonte takime me anëtarë të delegacionit amerikan në margjinat e forumit, kanë thënë për Reuters dy burime të njohura me vizitën, duke kërkuar të mbeten anonimë.

Pas takimit, Witkoff iu drejtua shkurt medieve duke thënë se takimi me delegacionin rus kishte qenë pozitiv.

“Gjithçka ishte shumë pozitive”, tha ai.

Të njëjtin mendim shprehu edhe i dërguari rus Kirill Dmitriev.

“Takimet po zhvillohen në mënyrë konstruktive. Gjithnjë e më shumë njerëz po e njohin drejtësinë e qëndrimit të Rusisë”, deklaroi ai.

Sipas raportimit të gazetarëve, takimi ka zgjatur më shumë se dy orë.

Trump do të marrë pjesë personalisht në takimin vjetor të këtij viti të mërkurën, më 21 janar, pasi vitin e kaluar iu drejtua tubimit përmes video-lidhjes. Ai do të shoqërohet nga një delegacion i madh amerikan.

Kategoritë
BotaLajme