Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se një raketë balistike, e cila pas lëshimit nga Irani kishte kaluar përmes hapësirës ajrore të Irakut dhe Sirisë dhe po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke, është interceptuar dhe neutralizuar me sukses.
Sipas njoftimit, raketa u zbulua me kohë dhe u shkatërrua nga elementët e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, të vendosur në Mesdheun lindor.
Në komunikatë theksohet se një pjesë e municionit që ra në distriktin Dörtyol, në provincën Hatay, në fakt i përkiste një rakete të mbrojtjes kundërajrore të përdorur gjatë interceptimit dhe neutralizimit të kërcënimit në ajër.
“Në këtë incident nuk pati viktima apo të lënduar”, thuhet në njoftim.
Nga Ministria turke e Mbrojtjes u bë e ditur se të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen e territorit dhe hapësirës ajrore do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim.
“Kujtojmë se ruajmë të drejtën për t’iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë”, u theksua më tej.
Në fund, autoritetet turke paralajmëruan të gjitha palët që të përmbahen nga veprime që mund ta zgjerojnë më tej konfliktin në rajon, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë konsultimet me NATO-n dhe aleatët e tjerë.




















