Një natë e veçantë dhe historike u shënua mbrëmë për Qendrën Islame Shqiptare, ku falë bujarisë dhe përkrahjes së besimtarëve u arrit të tubohen gjithsej 1’183’200 franga zvicerane (CHF). Ky sukses i madh u konsiderua si fryt i përkushtimit dhe solidaritetit të komunitetit, duke u falënderuar para së gjithash Allahu për këtë mirësi dhe për zemrat bujare të besimtarëve.
Programi i mbrëmjes u moderua nga Berat ef. Ramadani, i cili e udhëhoqi aktivitetin me përkushtim dhe profesionalizëm. Në organizimin dhe mbarëvajtjen e programit kontribuan gjithashtu imami i xhamisë Mevludin Zumberi dhe mysafiri i Ramazanit Flamur ef. Kasami, të cilët ndihmuan në koordinimin dhe drejtimin e programit.
Mbrëmja u pasurua edhe me pjesëmarrjen e mysafirëve të nderuar. Ardijan Sejdiu mbajti një ligjëratë para të pranishmëve, ndërsa Egzon Ibrahimi kontribuoi me lexim të Kuranit dhe interpretim të ilahive, duke i dhënë programit një atmosferë shpirtërore dhe solemne.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të xhamive shqiptare në Zvicër. Nga Xhamia “Uniteti” ishin të pranishëm kryetari Qamil Bexheti, së bashku me hoxhën Irfan Musliu dhe mysafirin e Ramazanit Abdulfetah ef. Shahini. Ndërsa nga Xhamia “Drita” – Moudon morën pjesë kryetari Baci Shemshir, si dhe hoxhallarët Emin Mersimi dhe mysafiri i Ramazanit Ejup ef. Xhemaili.
Organizatorët shprehën falënderime të sinqerta edhe për xhamitë shqiptare që kontribuan dhe mbështetën këtë iniciativë, duke dëshmuar edhe një herë frymën e bashkimit dhe solidaritetit në komunitet.
Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt edhe nga Radio Pendimi, duke mundësuar që shumë dëgjues ta ndjekin këtë moment të veçantë.
Kjo mbrëmje u cilësua si një dëshmi e fuqishme e unitetit, përkushtimit dhe dashamirësisë së komunitetit shqiptar. Organizatorët falënderuan të gjithë kontribuesit, pjesëmarrësit dhe mbështetësit që e bënë këtë aktivitet të paharrueshëm.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Kryesisë, grupit punues, Forumit të Grave, teologes, imamit, si dhe të gjithë vëllezërve dhe motrave që me përkushtim, sakrificë dhe bashkëpunim kontribuan në realizimin e këtij organizimi madhështor.
Në fund, u lutën që Allahu t’i shpërblejë të gjithë për bujarinë dhe përkrahjen e tyre. 🤲




















