Misteri për rrëzimin e avionit në Korenë e Jugut: Pse kutitë e zeza ndaluan regjistrimin katër minuta para aksidentit?

Regjistruesit e fluturimit dhe të zërit të avionit pasagjerësh që muajin e kaluar u rrëzua në Korenë e Jugut, duke marrë jetën e mbi 170 njerëzve, ndaluan së funksionuari disa minuta para se avioni të ulej me bark dhe të shpërthente në pistë, njoftuan hetuesit të shtunën.

Zyrtarët që po hetojnë aksidentin më vdekjeprurës të avionëve në vend në gati tre dekada, shpresonin se informacionet nga të ashtuquajturat kuti të zeza do të ndriçonin arsyen pse fluturimi Jeju Air 7C 2216 nga Bangkoku më 29 dhjetor u ul me bark në aeroportin Muan, duke shpërthyer në një top zjarri.

Në aksident humbën jetën 179 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Dy persona mbijetuan.

Ministria e Transportit e Koresë së Jugut njoftoi të shtunën se regjistruesi i zërit në kabinën e pilotit (CVR) dhe regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR) nga avioni Boeing 737-800 ndaluan së funksionuari katër minuta para rrëzimit.

Në deklaratën e saj, ministria tha se nuk është e qartë pse pajisjet ndaluan regjistrimin, duke shtuar se do të punojë për të përcaktuar shkakun.

“Të dhënat nga CVR dhe FDR janë të rëndësishme për hetimet e aksidenteve, por hetimet kryhen duke analizuar të dhëna të ndryshme, prandaj do të bëjmë gjithçka që mundemi për të përcaktuar saktësisht shkakun e aksidentit,” deklaroi ministria.

Regjistruesi i zërit në kabinë u analizua fillimisht në nivel lokal dhe më pas u dërgua në Shtetet e Bashkuara për verifikim të kryqëzuar, tha ministria.

Regjistruesi i të dhënave të fluturimit, i cili ishte dëmtuar dhe pa lidhës, u dërgua javën e kaluar në Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA për analizë, pasi autoritetet jugkoreane konkluduan se nuk mund të nxirrnin të dhënat nga kutia e zezë për shkak të dëmtimeve.

Ky aksident ishte më vdekjeprurësi në vend që nga viti 1997, kur një Boeing 747 i Korean Air Lines u rrëzua në xhunglën e Guamit, duke marrë jetën e 228 njerëzve.

Ende nuk është e qartë se cili ishte shkaku, dhe hetimi pritet të zgjasë me muaj. Pamjet e rrëzimit treguan se gjatë uljes së detyruar nuk ishte i dukshëm as treni i uljes së pasmë as ai i përparmë.

Para uljes së detyruar, piloti bëri një thirrje ndihme dhe përdori termat “goditje nga zogjtë” dhe “rrethim”, sipas zyrtarëve, të cilët gjithashtu thanë se kulla e kontrollit e paralajmëroi pilotin për zogjtë në atë zonë.

Një tjetër pikë kontestuese ishte ledhi prej betoni në të cilin avioni goditi gjatë uljes. Shumë aeroporte nuk kanë struktura të ngjashme kaq afër pistave, sipas ekspertëve të aviacionit.

Policia e Koresë së Jugut gjithashtu javën e kaluar bastisi zyrën e Jeju Air në Seul dhe operatorin e aeroportit ndërkombëtar Muan si pjesë e hetimit të saj, raportoi Reuters.

Kategoritë
BotaLajme