Ministri Çeku tha se themelimi i Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut paraqet një hap të rëndësishëm për dokumentimin e historisë
Qeveria e Kosovës me shumicë të votave në kabinetin qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, raporton Anadolu.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në prezantimin e këtij propozim-vendimi, tha se themelimi i Grupit Punues për hartimin e Konceptit për themelimin e Muzeut paraqet një hap të rëndësishëm për dokumentimin e historisë dhe prezantimin e saj për qytetarët.
“Koncepti i hartuar nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademike e profesionale dhe të shoqërisë civile, do të jetë bazë për themelimin e Muzeut të Luftës i cili do të dokumentojë dhe prezantojë një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës”, theksoi Çeku.
Ministri në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë tha se ky hap është pjesë e disa nismave tjera të Kosovës për të adresuar të kaluarën që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën.
Përfaqësuesit e këtij Grupi Punues që do ta hartojnë muzeun, sipas ministrit Çeku janë nga Ministria e Kulturës, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Universiteti i Prishtinës, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, Instituti i Historisë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, shoqatat e dala nga lufta, Zyra e Presidentes së Kosovës, përfaqësuesi nga Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Nga kabineti qeveritar, ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq ka votuar kundër propozim-vendimit në fjalë, për shkak se sipas tij, nuk duhet që “për krime lufte të fajësohet një vend i tërë”.
“Mendoj se në një mënyrë kategorizimi apo përgjithësimi i një vendi për krimet nuk është adekuat. E mbi të gjitha, kur përmendet çështja e brezave të ardhshëm, mendoj se nuk duhet të bëjmë një kategorizim të tillë, duke e bërë një shtet të tërë kriminal. Sigurisht se pajtohem që të tregohet pjesa që duhet, në mënyrë që të mos ndodhin më krime të tilla, e përgjegjësit të përballen me drejtësinë. Por, përgjithësimi i krimeve e adresimi i fajit te një shtet i tërë nuk mendoj se duhet të bëhet”, tha Rashiq në mbledhje të Qeverisë, duke bërë thirrje që të përmirësohet teksti.
Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e tekstit do të adresohet nga organet përkatëse, duke thënë se nuk duhet bërë fajësimi i popullit, pasi kjo nuk përputhet “me qeverisjen progresiste”.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pas mbledhjes së Qeverisë tha se beson që ministri Rashiq nuk ka qenë i informuar paraprakisht lidhur me propozim-vendimin në fjalë andaj dhe veproi me votë kundër.
