Ministri Murati: Faturat e tatimit në pronë nuk i ka rritur Qeveria e Kosovës

Murati tha se si Qeveri e udhëhequr nga kryeministri Kurti, deri më tash të gjitha vendimet që ka ndërmarrë në aspektin e tatimit në pronë nuk ndërlidhen me rritjen e faturës për qytetarët

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës ka sqaruar lidhur me rritjen e tatimit në pronë për të cilën qytetarët kosovarë ngritën shqetësimet ditëve të fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Murati ka thënë se në opinionin publik së fundmi ka pasur pretendime se Qeveria ka rritur tatimet për të rritur të hyrat e saj, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Ai tha se si Qeveri e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, deri më tash të gjitha vendimet që ka ndërmarrë në aspektin e tatimit në pronë nuk ndërlidhen me rritjen e faturës për qytetarët.

Ministri kosovar tha se rritja e faturave të tatimit në pronë për qytetarët buron nga Ligji për Tatimin në pronë i vitit 2018, i cili me automatizëm e ka bërë rritjen e çmimit të tatimit.

“Ky ligj i miratuar në vitin 2018 ka paraparë që sipas nenit 7 të këtij ligji, në vitin e pestë të zbatimit të këtij ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Më herët s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji ka filluar të tatimohen edhe tokat, sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat”, theksoi Murati.

Ai tha se meqë paratë e tatimit në pronë janë të komunave, u takon atyre të vendosin se çfarë duan të bëjnë në vazhdim. “Ne si ministri jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual”, shtoi Murati.

Komunat e Kosovës kanë bërë përgjegjës për rritjen Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, derisa edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë se komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore, por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut.

Për shtrenjtimin e çmimeve të tatimit në pronë qytetarë të shumtë reaguan gjatë këtij muaji, duke thënë se faturat e vitit 2023 i kanë marrë me rritje 100 për qind më shumë, krahasuar me vitin 2022.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka përkrahur kërkesat e qytetarëve kundër rritjes jonormale të faturave të tatimit në pronë.

KMDLNJ tha se në këtë institucion për mbrojtjen e të drejtave të njeriut erdhën shumë kërkesa nga qytetarët për t’i mbrojtur nga një shtrenjtim i tillë i cili sipas KMDLNJ-së është “në kundërshtim me gjendjen aktuale ekonomike”.

Kategoritë
LajmeVendi