Ministri izraelit i ekstremit të djathtë e quan “tragjedi” planin e Trumpit për Gazën

“Sipas mendimit tim, kjo gjithashtu do të përfundojë me lot. Fëmijët tanë do të detyrohen të luftojnë përsëri në Gaza”, tha Bezalel Smotrich

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, kritikoi planin e paqes të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke e quajtur atë “tragjedi dhe dështim” të qeverisë së Benjamin Netanyahut, transmeton Anadolu.

“Sipas mendimit tim, kjo gjithashtu do të përfundojë me lot. Fëmijët tanë do të detyrohen të luftojnë përsëri në Gaza”, tha Smotrich në rrjetin social amerikan X.

“Kjo është ajo që Ajnshtajni e përkufizoi si budallallëk i pastër: të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultat të ndryshëm”, tha ai duke përmendur formulën me dy shtete, formimin e policisë palestineze të trajnuar në Egjipt dhe Jordani dhe përfshirjen e Katarit si ndërmjetës në negociatat për armëpushim.

Ministri ekstremist kritikoi miratimin e planit të Trumpit nga Netanyahu dhe atë që e quajti “mungesë fillestare vullneti për të pushtuar Gazën”. Smotrich gjithashtu denoncoi ato që i quajti “festime absurde” të planit, të cilin e quajti “tragjedi lidershipi që ikën nga e vërteta”.

Të hënën, Trump shpalli një plan 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës së Izraelit ndaj Gazës gjatë një konference për media me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.

Plani parashikon lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë, çarmatosjen e plotë të Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe formimin e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez për të qeverisur enklavën.

Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën të pabanuar dhe kanë shkaktuar uri dhe përhapje sëmundjesh.

Kategoritë
BotaLajme