Itamar Ben-Gvir, pavarësisht se ishte dënuar për “nxitje të racizmit” në të kaluarën, prej kur filloi me detyrë si Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, u bën thirrje izraelitëve që të mbajnë armë dhe ua lehtëson procedurat
Përderisa sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës po vazhdojnë nga 7 tetori, ekziston rreziku që sulmet e kolonëve hebrenj, të cilët po armatosen nga qeveria, të shndërrohen në luftë civile ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ndaj të cilët janë ngritur 53 aktakuza dhe i dënuar për “racizëm dhe mbështetje të një organizate terroriste”, del në pah me armatimin e civilëve në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në mbarë vendin.
Sipas informacioneve që Anadolu ka përpiluar, Itamar Ben-Gvir, pavarësisht se ishte dënuar për “nxitje të racizmit” në të kaluarën, prej kur filloi me detyrë u bën thirrje izraelitëve që të mbajnë armë dhe ua lehtëson procedurat.
Ai gjithashtu u bën thirrje edhe grave izraelitë që të armatosen, ndërsa në një postim të bërë më 23 tetor në rrjetet sociale kishte shkruar: “Kemi krijuar 496 njësi rezervë në të gjithë vendin që nga fillimi i luftës dhe do të vazhdojmë të armatosim qytetarët dhe të krijojmë njësi rezervë të armatosur. Arma shpëton jetë”.
Më 10 tetor, Ben-Gvir njoftoi në llogarinë e tij në rrjetin social “X” se ai kishte urdhëruar blerjen e më shumë se 10 mijë armëve të zjarrit për t’u shpërndarë në vendbanimet afër Rripit të Gazës dhe zonat ku jetojnë së bashku arabët dhe izraelitët.
Ben-Gvir, i cili filloi “fushatën e armatimit të civilëve izraelitë”, pas pamjeve të tij bashkë me gruan duke shpërndarë armët të blera nga ministria për civilët më 23 tetor, bëri që të bëhet vlerësimi se kërcënimi i luftës civile po shtohet në vend.
U përjashtua nga shërbimi ushtarak për shkak të pikëpamjeve radikale
Që nga rinia, Ben-Gvir njihet me qasjen e tij anti-arabe, ndërsa para atentatit ndaj ish-kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin, i cili kishte nënshkruar Marrëveshjet e Oslos në vitin 1995 për të ndaluar përleshjet me palestinezët, kishte nxitur aktet e dhunës.
Pasi hoqi amblemën nga automjeti i kryeministrit Rabin, në një intervistë Ben-Gvir tha: “Arritëm te vetura e tij, do të arrijmë edhe tek ai”, ndërsa në moshën 16-vjeçare u bë anëtar i lëvizjes “Kach” të themeluar nga rabini Meir Kahane, e ndaluar nga Izraeli si dhe e cilësuar organizatë terroriste nga SHBA.
Ben-Gvir gjithashtu i ofroi mbështetje anëtarit të Kach, Baruch Goldstein, i cili kreu masakër duke hapur zjarr ndaj muslimanëve që kryenin lutjet e tyre në vitin 1994 në xhaminë e Ibrahimit në qytetin El Halil. Të njëjtin viti, kur ai ishte Koordinator i Rinisë i organizatës Kach, në një program televiziv Ben-Gvir e përdori slloganin e organizatës terroriste Kach, “Arabët në vendet arabe, Hebrenjtë në Zion”.
Ben-Gvir gjithashtu vari një foto të Goldstein-it në sallonin e shtëpisë së tij, duke e cilësuar si “hero” atë.
Ai u përjashtua nga shërbimi ushtarak për shkak të radikalitetit të pikëpamjeve të tij, ndërsa u dënua për “racizëm dhe mbështetje të një organizate terroriste” në vitin 2007.
Më 14 tetor 2022, bashkë me disa kolonë kreu bastisje ndaj Lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar, duke kërcënuar banorët palestinezë me armë.
Itamar Ben-Gvir, lideri i Partisë së Fuqisë Hebraike, një nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e vitit 2022 dhe pavarësisht veprimeve të tij raciste dhe ideve radikale u bë Ministri i Sigurisë Kombëtare përgjegjës për forcat e sigurisë. Kjo shkaktoi një reagim brenda Izraelit dhe jashtë.
Ben-Gvir, i cili njihet për inkurajimin e akteve të dhunës nga kolonët hebrenj në Kudsin e pushtuar, përmendet si “avokati i vrasësve”, “avokati i djallit” dhe “i dënuari” sepse ai njihet për mbrojtjen e kolonëve hebrenj dhe të dyshuarve terroristë në profesionin e tij si avokat, mbi të cilin e ndërtoi karrierën e tij politike.
“Jetët tona janë para lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së palestinezëve”
I njohur me deklaratat e tij raciste dhe veprimet provokuese ndaj palestinezëve, Ben-Gvir shkakton Kritika edhe me bastisjet provokatore ndaj Mesxhid-i Aksasë. Më 3 tetor, ai kërkoi që të merret një vendim për të lejuar hebrenjtë të hyjnë në Mesxhidi Aksanë dhe të kryen ritet 24 orë në ditë.
Si një ndër kolonët e qytetit El Halil, Ben-Gvir në një postim më 6 tetor shkroi: “Jetët tona janë para lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së palestinezëve”.
Pas sulmit gjithëpërfshirës të nisur nga krahu i armatosur i Hamasit kundër Izraelit me emrin “Tufani i Aksasë” mëngjesin e 7 tetorit, ministri Ben-Gvir njoftoi se u shpall një “emergjencë civile”, duke i dhënë kompetenca shtesë forcave të rendit.
Sipas transmetuesit publik izraelit, ai gjithashtu urdhëroi edhe rritjen e numrit të policëve vullnetarë.
Qeveria e ekstremit të djathtë e kryeministrit Netanyahu dhe ministrit Ben-Gvir, u kritikua për dobësinë e madhe të sigurisë në sulmet nga Gaza më 7 tetor dhe vonesën në marrjen nën kontroll të situatës.
Pas sulmeve të Hamasit, shtypi izraelit komentoi se vendi po tërhiqej qëllimisht në rrezik nga ekstremistët e djathtë.
Bregu Perëndimor e përjeton periudhën “më të përgjakshme” në 18 vitet e fundit
Sipas OKB-së, për shkak të përdorimit joproporcional të forcës nga ushtria dhe sulmet në rritje nga kolonët e armatosur, në Bregun Perëndimor përjetohet periudha më e përgjakshme në 18 vitet e fundit.
Që kur OKB-ja filloi të mbante të dhëna për viktimat në rajon në vitin 2005, viti 2022 u regjistrua si “viti më i përgjakshëm”, kur 170 palestinezë u vranë në Bregun Perëndimor nga sulmet e ushtarëve izraelitë ose kolonët e armatosur.
Ndërsa, në periudhën deri më 7 tetor të këtij viti, si pasojë e dhunës izraelite kanë humbur jetën rreth 200 persona, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Në Bregun Perëndimor nga 7 tetori deri më tani kanë humbur jetën 106 palestinezë.