Ministri gjerman ngrit alarmin: Sulm rus ndaj NATO-s i mundshëm në vitin 2029, Moska reagoi ashpër

Moska të hënën e dënoi si “retorikë lufte” paralajmërimin e ministrit gjerman Boris Pistorius se Rusia në të ardhmen e afërt mund të sulmojë ndonjë prej anëtarëve të Aleancës Veri-Atlantike.

“Në Rusi nuk ka përkrahës të ndonjë konfrontimi me NATO-n”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, sipas agjencisë shtetërore TASS.

Ai reagoi ndaj një interviste të ministrit gjerman për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, në të cilën Pistorius tha se sulmi rus ndaj ndonjë shteti anëtar të NATO-s mund të jetë i imagjinueshëm që në vitin 2029.

“Një retorikë e tillë militariste dhe luftarake po dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga metropolet evropiane”, tha Peskov, duke theksuar se Rusia po ndërmerr masa për të mbrojtur interesat e saj.

Moska disa herë ka akuzuar NATO-n se po armatoset për një luftë kundër Rusisë, shkruan DPA. Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, është e pakuptimtë të thuhet se vendi i tij dëshiron të sulmojë një shtet anëtar të Aleancës.

Deklaratën e ministrit gjerman e ka dënuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, duke e cilësuar si deklaratë të një “agresori”.

Pistorius në intervistën e botuar të shtunën tha se, sipas disa vlerësimeve, Rusia mund të jetë e gatshme për sulm ndaj një shteti të NATO-s që në vitin 2028, ndërsa disa historianë ushtarakë besonin se paqja në Ukrainë ka qenë e mundur që verën e kaluar.

Ministri gjerman shtoi se NATO ka një “potencial të konsiderueshëm parandalues”, duke iu referuar arsenalit konvencional dhe bërthamor të Aleancës.

Kategoritë
BotaLajme