Mijëra njerëz dolën në rrugët e Iranit gjatë ceremonisë së varrimit për viktimat e sulmit ndaj një shkolle, shumica prej tyre vajza të mitura

Media shtetërore iraniane raportoi se mijëra persona dolën në rrugë gjatë ceremonisë mortore për 165 viktima, kryesisht vajza të moshës 7 deri në 12 vjeç, të cilat humbën jetën në një sulm ndaj një shkolle fillore në Minab.

Pamjet dhe fotografitë tregojnë turma të mëdha në ceremoninë e varrimit, ndërsa shihen burra duke qarë dhe vajtuar humbjen e të dashurve të tyre.

Disa mbanin fotografi të liderit suprem, ajatollah Ali Khamenei, ndërsa të tjerë valëvitnin flamurin iranian.

Sulmi ndodhi në ditën e parë të ofensivës dhe rrafshoi një ndërtesë dykatëshe të shkollës fillore “Shajareh Tayyebeh”. Në katin përdhes qëndronin djemtë, ndërsa kati i parë ishte i rezervuar për vajzat. Ndërtesa, e cila deri së fundmi ishte e zbukuruar me vizatime fëmijësh dhe murale shumëngjyrëshe, tani është shndërruar në rrënoja.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, më herët publikoi një fotografi ajrore ku shihen varre masive që po hapeshin për varrosjen e vajzave.

Në të njëjtin postim, Araghchi kritikoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump, duke e quajtur sulmin “vrasje me gjakftohtësi”.

“Këto janë varret që po hapen për më shumë se 160 vajza të reja të pafajshme të vrara në bombardimin amerikano-izraelit të një shkolle fillore. Trupat e tyre u copëtuan. Kështu duket në realitet ‘shpëtimi’ që premtoi Trump. Nga Gaza në Minab, të pafajshmit po vriten me gjakftohtësi”, shkroi Araghchi në platformën X (ish-Twitter).

Duke dënuar sulmin, ai shtoi:

“Ndërtesa e shkatërruar është një shkollë fillore për vajza në jug të Iranit. U bombardua në mes të ditës, ndërsa ishte plot me nxënëse të reja. Dhjetëra fëmijë të pafajshëm u vranë vetëm në këtë vend. Këto krime kundër popullit iranian nuk do të mbeten pa përgjigje.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se forcat amerikane “nuk do të synonin qëllimisht një shkollë”, pas raportimeve për sulmin ndaj shkollës fillore për vajza.

Kategoritë
BotaLajme