Javorja gjermane Die Zeit në fillim të prillit lansoi një motor kërkimi për arkivin e NSDAP, duke u mundësuar shumë familjeve për herë të parë qasje të lehtë në të dhënat për anëtarësimin e të afërmve të tyre në partinë naziste.
Sipas redaktorit të historisë, Christian Staas, mjeti ka regjistruar miliona hyrje dhe mijëra shpërndarje, si dhe mbi 1.000 komente nga lexuesit. Ai tha se në këtë rast janë bashkuar kalimi i kohës dhe mundësitë e reja teknologjike të hulumtimit.
“Pas vitit 1945, shumica e gjermanëve e shihnin veten si viktima”, tha Staas, duke shtuar se flitej shumë pak për rolin personal, pajtimin e heshtur apo dijeninë për krimet e regjimit.
Një nga personat që përmes bazës së të dhënave arriti në një zbulim personal është Olaf Köndgen, 64-vjeçar, i cili jeton dhe punon në France. Ai zbuloi se babai i tij Ernst ishte anëtarësuar në NSDAP më 1 shtator 1939, në ditën e fillimit të luftës, gjë që ndryshoi mënyrën se si ai i kuptonte motivet e të atit.
“Tani e kuptoj se motivi i tij kryesor ndoshta ka qenë ideologjik”, tha Köndgen.
Përvojë të ngjashme pati edhe Niko Karsten, 56-vjeçar, i cili muajin e kaluar zbuloi se gjyshja e tij nga ana e nënës, Irmgard Roßberg, ishte bërë anëtare e NSDAP-së më 1 maj 1937. Karsten tha se historia familjare e shqetëson edhe më shumë për shkak të forcimit të partisë së djathtë ekstreme Alternative für Deutschland.
“Kjo më shqetëson vërtet, sepse nëse ndjek një mënyrë të tillë raciste të të menduarit, historia tregon se përfundon në shkatërrim”, tha ai.
Ndërmjet viteve 1925 dhe 1945, rreth 10,2 milionë gjermanë iu bashkuan NSDAP-së. Historianët thonë se arsyet kanë qenë të ndryshme, nga bindjet ideologjike deri te oportunizmi, por nuk ka dëshmi se njerëzit detyroheshin të anëtarësoheshin apo regjistroheshin pa dijeninë e tyre.
Kartelat e anëtarësisë, të mbajtura me saktësi të madhe, u transferuan nga Munich në fund të luftës, më pas u përdorën në procesin e denacifikimit dhe më vonë u ruajtën në arkivin federal gjerman dhe në Arkivin Kombëtar Amerikan.
Për shkak të rregullave të rrepta gjermane për mbrojtjen e të dhënave, familjet më parë duhej të paraqisnin kërkesa formale për qasje në këto dokumente. Mjeti i Die Zeit tani i ka bërë këto evidenca amerikane lehtësisht të kërkueshme, ndaj tema e së kaluarës naziste për shumë gjermanë nuk është më vetëm çështje historike, por edhe thellësisht personale, shkruan The Guardian.










