Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, paralajmëroi se një konflikt i ri me Iranin do të ishte një gabim i madh, duke theksuar se Teherani është i gatshëm të rikthehet në negociatat për programin bërthamor.
Në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera, ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan dërgoi një mesazh të qartë për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara, lidhur me tensionet në rritje në Lindjen e Mesme. Fidan theksoi se çdo sulm ndaj Iranit apo ringjallje e luftës do të ishte një hap i gabuar me pasoja të pallogaritshme.
Fidan zbuloi se Turqia po këshillon në mënyrë aktive Uashingtonin se si të menaxhojë marrëdhëniet komplekse me Teheranin. Sipas tij, çelësi i suksesit qëndron në zgjidhjen graduale të çështjeve të hapura, dhe jo në insistimin për “paketa gjithëpërfshirëse”.
“Këshilla ime për miqtë amerikanë është gjithmonë e njëjtë: mbyllini dosjet një nga një. Filloni me programin bërthamor, zgjidheni atë dhe pastaj kaloni te tjetra. Mos i trajtoni të gjitha si një paketë të vetme,” tha Fidan.
Ai sqaroi se përpjekja për t’i zgjidhur të gjitha problemet njëherësh mund të jetë kundërproduktive.
“Nëse i vendosni të gjitha në një paketë, kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u ‘përtypur’ dhe për t’u përpunuar nga miqtë tanë iranianë. Kjo mund t’u duket poshtëruese dhe do ta kenë të vështirë ta shpjegojnë një qasje të tillë para udhëheqjes së tyre,” paralajmëroi ministri turk.
Duke folur për rolin e Iranit në rendin e ri rajonal, Fidan theksoi se Irani ka potencialin të zërë një “vend të përkryer”, por për këtë nevojiten më shumë transparencë dhe bashkëpunim me fqinjët. Duke kujtuar vizitën e tij në Iran para dy muajsh, ai tha se u kishte përcjellë zyrtarëve atje mesazhe shumë të sinqerta.
“Ata duhet të ndërtojnë besim në rajon. Duhet t’i kushtojnë vëmendje mënyrës se si perceptohen nga vendet fqinje. Askush prej nesh nuk po shkon askund – ne mbetemi këtu, Irani mbetet këtu,” u shpreh Fidan.
Në përfundim, ai theksoi se, pavarësisht dallimeve ideologjike, të regjimit apo sektare, shtetet e rajonit duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar brenda sistemit të shteteve-kombe, në mënyrë që të sigurohet stabilitet afatgjatë.











