Melania Trump e ndërpreu papritur konferencën për shtyp pas pyetjes për Epstein-in

Zonja e Parë e SHBA-së Melania Trump e përfundoi në mënyrë të papritur konferencën për shtyp pas takimit me pengjet amerikano-izraelite të liruar, pasi u përball me një pyetje lidhur me bashkëpunëtoren më të afërt të abuzuesit seksual Jeffrey Epstein.

Melania Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Keith dhe Aviva Siegel dhe, pasi u dha gazetarëve mundësinë të bëjnë pyetje, e para kishte të bënte me raportet e saj me Epstein-in, respektivisht me bashkëpunëtoren e tij më të afërt Ghislaine Maxwell.

Gazetarja e CNN-it Betsy Klein e pyeti Melanian për rastin e transferimit të Maxwell-it, e cila pas bisedimeve me drejtues të administratës Trump u dërgua në një burg me nivel më të ulët sigurie.

Pyetja dukshëm nuk i pëlqeu Zonjës së Parë dhe ajo e shmangu plotësisht përgjigjen.

“Këtu po festojmë lirimin dhe jetët e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm, prandaj duhet ta respektojmë këtë. Faleminderit,” tha Melania dhe e ndërpreu konferencën për shtyp.

Lidhjet mes bashkëshortes së presidentit amerikan Donald Trump dhe Maxwell-it janë vënë sërish në qendër të vëmendjes, pasi në dokumentet e publikuara në fund të janarit u zbulua se Melania kishte dërguar një email në vitin 2002 te bashkëpunëtorja më e afërt e Epstein-it.

Kategoritë
BotaLajme