Mediat shtetërore iraniane konfirmojnë: Udhëheqësi suprem Ali Khamenei është i vdekur

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka vdekur, raportuan mediat shtetërore iraniane.

Mediat botërore përcjellin se konfirmimi nga mediat shtetërore iraniane për vdekjen e Khameneit vjen pas një sërë raportimesh nga burime izraelite dhe amerikane që pretendonin se ai ishte vrarë.

Gjatë gjithë ditës ka pasur spekulime se Khamenei u vra në sulmet izraelito-amerikane të mëngjesit, ndërsa konfirmimi erdhi më vonë, fillimisht nga burime izraelite e më pas edhe nga ato amerikane.

Zyrtarisht ende nuk dihet në çfarë mënyre apo ku është vrarë, por është bërë e ditur se është goditur kompleksi ku qëndronte Khamenei në Teheran, si dhe janë publikuar pamje satelitore të objekteve të rrënuara.

Konfirmimit iranian për vdekjen e ajatollahut i parapriu raportimi i agjencisë Fars se janë vrarë katër anëtarë të familjes së tij të ngushtë, përfshirë vajzën, dhëndrin, nusen e djalit dhe mbesën.

Khamenei mori drejtimin e shtetit në vitin 1989 pas vdekjes së Ruhollah Khomeinit, udhëheqësit të Revolucionit Islamik, dhe gjatë më shumë se tre dekadave konsolidoi sistemin teokratik të pushtetit. Ai zgjeroi ndikimin e klerit shiit dhe e ndërtoi Gardën Revolucionare si shtyllën qendrore të shtetit.

Në politikën e jashtme, nën udhëheqjen e tij, Irani zhvilloi një rrjet aleatësh rajonalë dhe formacionesh paraushtarake.

Programi bërthamor mbeti në qendër të tensioneve ndërkombëtare, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018 nga marrëveshja ndërkombëtare me Teheranin dhe rivendosën sanksionet. Përplasjet kulmuan në vitin 2025 me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Brenda vendit, sundimi i Khameneit u karakterizua nga valë protestash dhe represion i ashpër – nga demonstratat reformiste në fund të viteve 1990, protestat masive të viteve 2009 dhe 2019, deri te trazirat pas vdekjes së Mahsa Aminit në vitin 2022 dhe tensionet e reja në vitin 2025.

Vdekja e Khameneit hap një kapitull të pasigurt për Republikën Islamike, ndërsa CIA kishte paralajmëruar më herët presidentin Trump se Garda Revolucionare mund të luajë një rol kyç në procesin e tranzicionit.

Kategoritë
BotaLajme