Sipas mediave izraelite, Hamasi ende mban 137 pengje, duke përfshirë 126 izraelitë dhe 11 të huaj
Mediat lokale njoftojnë se Izraeli është i gatshëm të rifillojë kontaktet me ndërmjetësit për lirimin e mundshëm të pengjeve të tjerë izraelitë të mbajtur në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas “Channel 12”, marrëveshja e re e shkëmbimit të të burgosurve do të mund të kryhet brenda kornizës së një armëpushimi humanitar dhe do të përfshijë gratë që ende mbahen peng, pacientët, të plagosurit dhe të moshuarit.
Izraeli thotë se ka ende gra që mbahen peng nga Hamasi, një pretendim i hedhur poshtë nga grupi palestinez, i cili thotë se bëhet fjalë për ushtarë që janë marrë peng teksa mbanin uniforma të ushtrisë izraelite.
Hamasi ka këmbëngulur se bisedimet për personelin ushtarak do të zhvillohen në një fazë të mëvonshme, një pozicion që kontribuoi në dhënien fund të pauzës humanitare në Gaza dhe rifillimin e luftimeve më 1 dhjetor.
Sipas mediave izraelite, Hamasi ende mban 137 pengje, duke përfshirë 126 izraelitë dhe 11 të huaj.
“Channel 12” tha se zyrtarët izraelitë besojnë se shanset për të arritur një marrëveshje të re të shkëmbimit të të burgosurve me Hamasin nuk janë të mundshme javën e ardhshme, por Izraeli ende beson në hapjen e një rruge të re, duke përfituar nga presioni mbi Hamasin që rezultoi nga luftimet në Gaza.
Media citoi një burim ushtarak të thoshte se intensiteti i luftimeve ka filluar të hapë një rrugë për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve që nuk duhet humbur.
Gjatë pauzës humanitare njëjavore në Gaza, u zhvillua një shkëmbim i të burgosurve nën ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së, i cili rezultoi në lirimin e 84 izraelitëve dhe 24 të huajve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.
Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të pauzës humanitare njëjavore me Hamasin.
Të paktën 18.205 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 49.645 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore izraelite ndaj enklavës së bllokuar që nga 7 tetori, pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi.
