Delegacionet që ndodhen në Stamboll për të punuar mbi detajet e armëpushimit të shpallur pas përleshjeve kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit arritën marrëveshje për shumë çështje
Mediat afgane raportuan se delegacionet që ndodhen në Stamboll për të punuar mbi detajet e armëpushimit të shpallur pas përleshjeve kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit arritën marrëveshje për shumë çështje dhe se negociatat do të vazhdojnë për çështje të tjera, transmeton Anadolu.
Sipas një postimi në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X nga “Tolo News” me qendër në Kabul të Afganistanit, burime të njohura me çështjen kanë dhënë informacion në lidhje me takimin e komitetit teknik të mbajtur në Stamboll për të punuar mbi detajet e armëpushimit të arritur midis Afganistanit dhe Pakistanit pas përleshjeve kufitare.
Burimet anonime theksuan se delegacionet afgane dhe pakistaneze kanë arritur marrëveshje për shumë çështje në takimin e Stambollit dhe se çështje të tjera priten të finalizohen deri në fund të ditës. Burimet theksuan se negociatat mund të vazhdojnë deri natën dhe se palët do të lëshojnë deklaratë të përbashkët në fund të bisedimeve.
Sipas burimeve, deklarata e përbashkët do të trajtojë çështje të tilla si zgjatja e armëpushimit, rihapja e rrugëve midis dy vendeve, lirimi i të burgosurve si dhe vendi dhe koha e takimit të ardhshëm.
– Tensionet midis Pakistanit dhe Afganistanit
Armëpushimi 48-orësh, i shpallur më 15 tetor pas përleshjeve kufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit, u zgjat deri në përfundim të negociatave të mbajtura në kryeqytetin e Katarit, Doha, me mbështetjen e Turqisë dhe Katarit.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës turke (MIT), Ibrahim Kalin gjithashtu mori pjesë në bisedimet e Dohas me kërkesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan. Axhenda kryesore e bisedimeve ka qenë “zgjatja e armëpushimit aktual dhe zgjidhja e përleshjeve të fundit kufitare”, dhe palët arritën një marrëveshje.
Pas 14 orësh negociatash në Doha, ishte planifikuar që në Stamboll të mbahej takimi i parë i komitetit teknik i cili do të punonte për detajet e armëpushimit. Sipas mediave pakistaneze, delegacionet nga Pakistani dhe Afganistani u takuan në Stamboll më 25 tetor për këtë qëllim.

















