Me mijëra lëndë nëpër gjykatat e Kosovës ‘flejnë’ nëpër sirtarë

Mbi 236 mijë lëndë të ndryshme nëpër gjykatat e vendit janë në pritje për t’u zgjidhur. Gjykata Themelore e Prishtinës prin me më se shumti lëndë të pazgjidhura. Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, në periudhën janar-qershor të vitit 2022 janë regjistruar 236 mijë e 329 lëndë të pazgjidhura në gjykata.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në raportin për vitin 2022 thekson se Gjykata Supreme, Dhomat e Posaçme, Gjykatat e Apelit dhe ato Themelore kanë pasur mbi 295 mijë lëndë,  ku 222 mijë  janë lëndë të trashëguar, ndërsa janë pranuar 73 mijë e 276 të tjera.

Zvarritja e lëndëve sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, po ndodh për shkak të mos trajtimit të tyre brenda afateve ligjore,si dhe mos menaxhimi adekuat i lëndëve nga ana e gjyqtarëve.

Sipas KGJK-së, një ndër arsyet e grumbullimit të lëndëve ishte edhe mungesa e gjyqtarëve nëpër disa departamente.

Mirëpo Ehat Miftaraj nga IKD thotë se KGJK ka arritur ta rrisë numrin e gjyqtarëve por që performansa dhe efikasiteti ka shënuar rënie.

Kurse Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, thotë se një ndër shkaqet e grumbullimit të lëndëve nëpër gjykata është edhe ulja e pagave dhe dorëheqja e gjyqtarëve nga gjykata në veri të vendit. Sipas saj, në veri nuk ka gjyqësor funksional.

Sipas të dhënave të KGJK-së, në gjykatat e Kosovës punojnë rreth 400 gjyqtarë, prej tyre 299 në Gjykata Themelore, derisa shërbyes civilë janë njëmijë e pesëqind e shtatë. Gjykata me më së shumti lëndë në pritje për shqyrtim është Gjykata Themelore, dega në Prishtinë, me mbi 63 mijë e 700 lëndë, e ndjekur nga Prizreni me mbi 15 mijë e 700 dhe Ferizaj me mbi 15 mijë e 60 lëndë

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi