Mbahet gara tradicionale turke e gjuajtjes me hark

“Gjuajtja me hark, sporti ynë i stërgjyshërve, nuk është vetëm një sport i vështirë, por gjithashtu siguron ekuilibër, motivim dhe vetëbesim te atletët. Është vërtet krenari që fëmijët tanë i kanë kushtuar zemrën këtij sporti që në moshë të vogël”

Në qytetin e Prizrenit është mbajtur për herë të tretë gara “Kupa Tradicionale e Shigjetarisë Turke në Kosovë” në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre dhe Klubin e Shigjetarisë Tradicionale të Prizrenit, raporton Anadolu.

Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe koordinatori i Institutit Yunus Emres në Kosovë, Ramazan Yılmaz, si dhe përfaqësues të klubeve dhe sportdashës.

Yılmaz në fjalën e tij tha se ndihet krenar për suksesin e jashtëzakonshëm të shigjetarëve kosovarë, të cilët kanë përgatitje tradicionale në këtë sport dhe janë të suksesshëm edhe në gjuajtjen olimpike moderne.

“Gjuajtja me hark, sporti ynë i stërgjyshërve, nuk është vetëm një sport i vështirë, por gjithashtu siguron ekuilibër, motivim dhe vetëbesim te atletët. Është vërtet krenari që fëmijët tanë, të cilët janë në moshën e tyre të zhvillimit, i kanë kushtuar zemrën këtij sporti që në moshë të vogël”, tha ai.

Pas garës, nga të ftuarit u ndanë certifikata dhe trofe për rreth 100 sportistë nga krahina të ndryshme të Kosovës.

Kosova do të jetë nikoqire e Turneut të 4-të Ballkanik të gjuajtjes me hark në vitin 2024.

Deri më sot, më shumë se 1 mijë sportistë kanë përfituar nga kurset tradicionale turke të gjuajtjes me hark, të hapura në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Mamushës në Kosovë.

Kategoritë
BotaLajme