Marok, mijëra njerëz në Rabat protestuan kundër sulmit ndaj Flotiljes Globale “Sumud”

Marshimi i organizuar nga organizata të shoqërisë civile si Grupi i Punës për Palestinën dhe Fronti Maroken në Mbështetje të Palestinës, u mbajt në përvjetorin e dytë të Flotiljes Al-Aksa

Mijëra njerëz në kryeqytetin e Marokut, Rabat, protestuan kundër sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza dhe kundër ndërhyrjes ndaj Flotiljes Globale “Sumud” që transportonte ndihma humanitare në Gaza, raporton Anadolu.

Marshimi i organizuar nga organizata të shoqërisë civile si Grupi i Punës për Palestinën dhe Fronti Maroken në Mbështetje të Palestinës, u mbajt në përvjetorin e dytë të Flotiljes Al-Aksa. Demonstruesit kërkuan heqjen e bllokadës ndaj Gazës, hyrjen e ndihmave dhe dhënien fund të zhvendosjes së detyruar të palestinezëve nga Izraeli.

Pjesëmarrësit mbajtën pankarta me mbishkrimet “Liri për Gazën”, “Thyerja e bllokadës nuk është krim kundër njerëzimit” dhe “Përshëndetje Palestinës, vazhdoni rezistencën”. Në protestë u kërkua lirimi i aktivistëve marokenë dr. Aziz Ghali dhe inxhinierit Abdelazim Ben Draoui, të cilët po mbahen nga Izraeli.

Abdelrahim al-Sheikh, një pjesëmarrës maroken në Flotiljen Globale “Sumud”, i cili u detyrua të largohej para sulmit ndaj flotiljes për arsye shëndetësore dhe teknike, tha për Anadolu se “Flotilja u nis për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza dhe për të thyer bllokadën, por Izraeli sulmoi anijet dhe arrestoi aktivistët”.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë të arrestuarit dhe përsërisim thirrjen tonë për lirimin e dy marokenëve që janë ende në paraburgim”, shtoi ai.

Anija “Aladdin” në të cilën ishte Abdelrahim al-Sheikh, një pjesëmarrës maroken në Flotiljen Globale “Sumud” dhe delegatë nga Tunizia dhe Maroku, u ndal për shkak të një mosfunksionimi teknik dhe u kthye për mirëmbajtje. Pjesëmarrësit më vonë donin t’i bashkoheshin Flotiljes së Lirisë në Itali, por kushtet organizative e penguan këtë.

Kategoritë
BotaLajme