Delegacioni amerikan i kryesuar nga presidenti i këtij vendi, Donald Trump, udhëtoi drejt Kinës ku do të zhvillojë takime me Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë kinezë, ndërsa vëmendje të veçantë gjatë këtij udhëtimi tërhoqi sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio.
Rubio po udhëton drejt Kinës pavarësisht faktit se ndodhet nën sanksionet e Pekinit. Edhe pse pritej që hyrja e tij në Kinë të ndalohej, për shkak të specifikave të situatës, autoritetet kineze vendosën për një veprim të pazakontë që i mundësoi sekretarit amerikan të shtetit të udhëtonte drejt vendit.
Pak para se të merrte detyrën në janar të vitit 2025, qeveria kineze dhe mediat zyrtare nisën të përdorin një shenjë tjetër kineze për “ru”, për të paraqitur rrokjen e parë të mbiemrit të tij.
Dy diplomatë deklaruan për agjencinë franceze AFP se besojnë se Kina e bëri këtë ndryshim pasi Rubio ishte nën sanksione, të cilat përfshinin edhe ndalimin e hyrjes në vend sipas mënyrës së vjetër të shkrimit të emrit të tij.
Kina deklaroi të martën se nuk do ta bllokojë Rubion për shkak të veprimeve të tij të mëparshme.
“Sanksionet janë të drejtuara ndaj fjalëve dhe veprimeve të zotit Rubio kur ai ishte senator amerikan në lidhje me Kinën”, deklaroi zëdhënësi i ambasadës kineze, Liu Pengyu.
Përveç kësaj, Rubio tërhoqi vëmendje edhe me zgjedhjen e veshjes për këtë udhëtim. Shefi i departamentit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, publikoi një fotografi nga avioni ku shihet Marco Rubio i veshur me tuta sportive.
Megjithatë, shumëkush vuri re se nuk bëhej fjalë për “një palë tuta të zakonshme”, por për të njëjtin model që kishte veshur edhe ish-lideri venezuelian Nicolas Maduro gjatë arrestimit.
“Sekretari Rubio po mban Nike Tech ‘Venezuela’ në Air Force One!”, shkroi Cheung.
Shumë persona bënë shaka me zgjedhjen e veshjes së Rubios, duke e quajtur “Maduroja i Departamentit të Shtetit” si dhe fytyra e re e “diplomacisë Nike”.
Trump dhe bashkëpunëtorët e tij pritet të mbërrijnë të mërkurën në Pekin për një vizitë shtetërore te lideri kinez Xi Jinping, ndërsa temat kryesore të bisedimeve do të jenë tregtia, Tajvani dhe inteligjenca artificiale.










