Mali i Zi vendos viza për qytetarët turq, 45 të arrestuar

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, njoftoi sonte se qeveria do të mbajë nesër një mbledhje urgjente për të marrë vendim mbi pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për qytetarët turq, pas një sërë incidentesh të dhunshme në Podgoricë në 24 orët e fundit.

Sipas Spajićit, ky hap ndërmerret “me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë publike”, duke theksuar njëkohësisht se qeveria synon të ruajë marrëdhënie të mira me Ankaranë.

“Me qëllim ruajtjen e aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënieve të mira dypalëshe, në periudhën e ardhshme do të nisim bisedime intensive me Republikën e Turqisë për të gjetur modelin më të mirë në interes të ndërsjellë, në frymën e bashkëpunimit dhe aleancës së mirë,” shkroi Spajić në platformën X.

Incidentet në Podgoricë

Policia malazeze raportoi se në 24 orët e fundit ka pasur disa raste dhune që përfshijnë shtetas turq, duke ndaluar rreth 45 persona.
Dy prej tyre janë identifikuar si të dyshuar për një sulm me thikë ndaj një qytetari të Podgoricës, M. J., i cili mbeti i plagosur rëndë mbrëmë.

Më pas, një numër banorësh të një lagjeje të Podgoricës janë mbledhur duke brohoritur slogane përçmuese kundër turqve, gjë që ka rritur tensionet në kryeqytet.

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Policisë deklaroi se po shqyrton arsyet dhe ligjshmërinë e qëndrimit të shtetasve turq të ndaluar, si dhe rrethanat e dhunës së ndodhur, që mund të çojnë në masa represive, përfshirë anulimin e lejeve të qëndrimit dhe dëbimin e të huajve.

Aktualisht, rreth 13,300 shtetas turq banojnë zyrtarisht në Mal të Zi, sipas të dhënave të policisë.

Reagime politike e fetare

Kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejzić, reagoi në platformën X duke ngritur dyshime për një ndikim të mundshëm politik nga Serbia:

“Pas më pak se 20 ditësh nga deklarata e Presidentit serb Vuçiç që akuzonte Turqinë për armatosjen e Kosovës – a po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?”, shkroi Fejzić.

Ndërkohë, Partia Boshnjake (BS), pjesë e koalicionit qeverisës, dënoi si aktet e dhunës, ashtu edhe gjuhën e urrejtjes që është shfaqur në publik pas ngjarjeve.

“Thirrjet si ‘Vrite turkun’ jo vetëm që fyejnë dinjitetin njerëzor, por rrezikojnë të minojnë vlerat e paqes dhe bashkëjetesës që përbëjnë themelin e shoqërisë malazeze,” thuhet në deklaratën e BS-së.
“Mali i Zi duhet të mbetet një vend ku dhunës nuk i përgjigjemi me urrejtje, por me drejtësi.”

Partia u bëri thirrje institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile të parandalojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe të ruajnë rendin publik e besimin mes qytetarëve.

Kategoritë
LajmeRajoni