Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka rikonfirmuar premtimin e tij për t’iu kundërvënë veprimeve federale kundër emigrantëve, duke theksuar qartë se askush në administratën e tij, përfshirë edhe Policinë e Nju Jorkut (NYPD), nuk do të bashkëpunojë me agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Ky reagim i ashpër vjen pas një incidenti të ndodhur të mërkurën në Minneapolis, ku një agjent i ICE-së vrau me armë zjarri një grua.
Mamdani nuk i kurseu fjalët duke e përshkruar ngjarjen në Minneapolis si “të tmerrshme” dhe duke akuzuar drejtpërdrejt administratën e presidentit Donald Trump.
“Lajmet që vijnë nga Minneapolis janë të tmerrshme. Kjo është pjesë e një viti të mbushur me mizori. Ne e dimë se kur agjentët e ICE-së sulmojnë emigrantët, ata sulmojnë secilin prej nesh në mbarë vendin,” deklaroi Mamdani.
Kryetari i bashkisë shkoi edhe më tej, duke e quajtur të shtënën “vrasje” dhe vazhdim të shtypjes brutale ndaj komuniteteve emigrante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ua kam bërë të qartë të gjithëve në administratën e qytetit, përfshirë edhe NYPD-në, se do t’u përmbahemi politikave tona të ‘qytetit strehë’ (sanctuary city). Nuk do t’i ndihmojmë agjentët e ICE-së në punën e tyre,” shtoi Mamdani, duke konfirmuar se Nju Jorku do të mbetet një qytet që “do të qëndrojë në mbrojtje të emigrantëve në të pesë bashkitë e qytetit.”
Reagimi nga Uashingtoni: “Po mbroni kriminelët”
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare (DHS), Kristi Noem, reagoi ashpër në një konferencë për shtyp, duke vlerësuar operacionet aktuale të ICE-së në Nju Jork dhe duke dënuar politikat e qytetit strehë, të cilat sipas saj “mbrojnë kriminelët”.
“Në kuadër të operacionit ‘Salvo’ kemi arrestuar 54 persona vetëm në disa muaj,” tha Noem. “Personat e arrestuar janë anëtarë të dhunshëm të bandave transnacionale dhe bashkëpunëtorë të lidhur me grupin Trinitarios, përgjegjës për trafik armësh, kontrabandë njerëzish, shpërndarje droge dhe grabitje të armatosura.”
Përplasja e re rreth zbatimit të ligjeve të imigracionit vjen vetëm disa javë pasi Mamdani u takua me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale, pavarësisht se më herët kishte mbështetur politika për ta “mbrojtur Nju Jorkun nga Trumpi” (e ashtuquajtura “Trump-proofing”).
Analistët theksojnë se Mamdani ndodhet në një situatë delikate. Nga njëra anë, ai përpiqet të mbrojë emigrantët, ndërsa nga ana tjetër synon të shmangë dërgimin e Gardës Kombëtare në Nju Jork ose rritjen e numrit të agjentëve të ICE-së, masa që presidenti i ka ndërmarrë tashmë në qytete të tjera të drejtuara nga demokratët.
Përshkallëzimi i tensioneve mes autoriteteve lokale dhe atyre federale po vazhdon, ndërsa vëmendja e publikut tani është e përqendruar te Minneapolis, ku zhvillimet mund të ndikojnë më tej edhe në situatën e sigurisë në Nju Jork.











