Ligjvënësja amerikane: Liria e fjalës nuk ekziston për gratë muslimane në Kongres

Tlaib tha se udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve “duhet të turpërohen nga ky rregull-zbatim brutal dhe diskriminues ndaj grave me ngjyrë në Kongres”

Kongresistja Rashida Tlaib mbrojti kolegen e saj kongresisten Ilhan Omar të enjten pasi lidershipi i demokratëve të Dhomës kritikoi Omar lidhur me postimin e saj në Twitter që duket se barazon SHBA-në me talebanët, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Liria e fjalës nuk ekziston për gratë muslimane në Kongres”, shkroi Tlaib në Twitter.

Reagimi i saj në Twitter erdhi pasi kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi dhe demokratët e tjerë thanë në një deklaratë të përbashkët se gjetja e çdo krahasimi midis SHBA-së dhe Izraelit si dhe Hamasit dhe talebanëve “nxit paragjykime dhe minon progresin drejt një të ardhme paqeje dhe sigurie për të gjithë”.

Tlaib tha se udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve “duhet të turpërohen nga ky rregull-zbatim brutal dhe diskriminues ndaj grave me ngjyrë në Kongres”.

“Përfitimi i dyshimit nuk ekziston për gratë muslimane në Kongres”, shkroi ajo.

Omar shkaktoi reagime të hënën, duke postuar një status në Twitter pas marrjes në pyetje të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken gjatë një seance dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit.

“Ne duhet të kemi të njëjtin nivel llogaridhënie dhe drejtësie për të gjitha viktimat e krimeve kundër njerëzimit. Ne kemi parë mizori të papërfytyrueshme të kryera nga SHBA-ja, Hamasi, Izraeli, Afganistani dhe talebanët”, tha ajo.

Omar më vonë sqaroi komentet e saj në një deklaratë duke thënë: “Të hënën, unë pyeta Sekretarin e Shtetit Antony Blinken rreth hetimeve të vazhdueshme të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Për të qenë të qartë: biseda ishte rreth përgjegjësisë për incidente specifike në lidhje me ato raste të GJNP-së, jo një krahasim moral midis Hamasit dhe talebanëve dhe SHBA-së dhe Izraelit”.

“Në asnjë mënyrë nuk po i barazoja organizatat terroriste me vendet demokratike me një sistem gjyqësor të vendosur mirë”, tha ajo.

Kategoritë
BotaLajme