LIDHJET E KLANEVE TË BALLKANIT ME VENEZUELËN: KORRIDOR STRATEGJIK NË TRAFIKUN E KOKAINËS

Është zbuluar se grupet e krimit të organizuar me origjinë nga Ballkani Perëndimor kanë krijuar lidhje edhe me Venezuelën në rrugën e kokainës që shtrihet nga Amerika Latine drejt Evropës. Në raportet e EUROPOL-it dhe INTERPOL-it, këto grupe renditen ndër aktorët kryesorë të kontrabandës së kokainës në drejtim të Evropës.

Sipas ekspertëve, megjithëse Venezuela nuk prodhon kokainë, ajo ka një rol të rëndësishëm si një “korridor strategjik daljeje” nga Amerika Latine drejt Atlantikut. Sasha Gjorgjeviq nga GI-TOC (Nisma Globale për Luftimin e Krimit të Organizuar Transnacional) thekson se kokaina që del nga Venezuela dërgohet drejtpërdrejt në Evropë ose përmes Afrikës Perëndimore në tregun evropian. Megjithatë, nënvizohet se për grupet kriminale ballkanike, vendet më të rëndësishme janë Kolumbia dhe Brazili, ndërsa në vitet e fundit edhe Ekuadori është bërë më kritik.

Rikthimi i Venezuelës në qendër të vëmendjes lidhet edhe me procesin ndaj ish-udhëheqësit Nicolas Maduro, i cili u kap në fillim të janarit nga forcat e SHBA-së. Maduro do të gjykohet në SHBA me akuza për “udhëheqje të një rrjeti tregtie me kokainë”, por ai i mohoi akuzat në seancën e parë.

U sekuestruan 5 tonë kokainë, 11 malazezë u dënuan

Aktivitetet e grupeve ballkanike në linjën e Venezuelës u bënë më të dukshme pas sekuestrimit të 5 tonëve kokainë në shkurt 2020 pranë brigjeve të Arubës. Në atë rast, marina holandeze ndaloi anijen “Aressa”, ku u arrestuan 11 shtetas të Malit të Zi, pjesë e ekuipazhit. Në vitin 2021, gjykata në Aruba i dënoi ata me nga 9 deri në 15 vjet burg. U raportua se operacioni u realizua në bashkëpunim mes Malit të Zi, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Holandës.

EUROPOL e lidhi kokainën e sekuestruar në Aruba me shtetasin serb Mirosllav Starçeviq. Ky i fundit u arrestua në maj 2023 bashkë me 12 persona të tjerë dhe dyshohet si udhëheqës i “organizatës më të madhe kriminale për trafikim droge në Ballkan”. Gjykata e Lartë në Beograd konfirmoi se procesi gjyqësor është në fazën e fundit. Policia serbe deklaroi se rrjeti i dyshuar është përgjegjës për dërgesa shumëtonëshe nga Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori drejt Evropës, duke përdorur edhe rrugën e Afrikës Perëndimore.

Pse Venezuela është e rëndësishme?

Sipas ekspertëve, ajo që e bën Venezuelën veçanërisht të rëndësishme është fakti se, përveç transportit detar, përdoren edhe avionë të vegjël për dërgesat. Kontrolli mbi këto fluturime është më i dobët krahasuar me fluturimet komerciale, çka u jep hapësirë rrjeteve të kontrabandës.

Në raportet e Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), Venezuela renditet ndër vendet kryesore transit për kokainën e prodhuar kryesisht në Kolumbi, e cila më pas shpërndahet drejt SHBA-së dhe Evropës. Ndërkohë, në Indeksin Global të Krimit të publikuar nga GI-TOC, thuhet se Venezuela ndodhet në pjesën e sipërme të renditjes botërore për ndikimin e aktorëve kriminalë brenda vendit. Në raportin e fundit të nëntorit 2025 përmenden edhe pretendime se grupet guerile kolumbiane “menaxhojnë zinxhirët e furnizimit në bashkëpunim me zyrtarë të korruptuar venezuelas”.

Nga ana tjetër, autoritetet e Serbisë dhe Malit të Zi nuk dhanë përgjigje mbi atë se sa aktive janë ende grupet ballkanike në trafikun e kokainës të lidhur me Venezuelën. EUROPOL deklaroi se nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Venezuelën dhe se të dhënat merren në mënyrë indirekte përmes policive të vendeve të tjera.

Kategoritë
BotaLajme